Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përsëritur kërkesën e tij që të gjitha vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Deklarata e tij u bë gjatë një adresimi virtual në Forumin Ekonomik Botëror, që po zhvillohet në Davos të Zvicrës, përcjell CNN.
Gjatë fjalimit, Trump theksoi rëndësinë e rikthimit të forcës dhe stabilitetit ndërkombëtar, duke kërkuar që vendet anëtare të NATO-s të përmbushin përgjegjësitë e tyre financiare në aleancë.
“Jam gjithashtu duke kërkuar që të gjitha vendet e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së, që është niveli ku duhej të ishin vite më parë,” deklaroi Trump.
Ai kritikoi faktin që për vite të tëra, shumë vende nuk kanë përmbushur objektivin aktual prej 2% të PBB-së, duke shtuar se SHBA-ja ka mbuluar një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve të aleancës.
Objektivi i NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes prej 2% të PBB-së është një udhëzues dhe jo një detyrim ligjor për vendet anëtare.
Megjithatë, Trump ka bërë presion të vazhdueshëm për rritjen e shpenzimeve, duke argumentuar se aleatët duhet të ndajnë në mënyrë më të drejtë barrën financiare të sigurisë globale.
Deklarata e presidentit amerikan vjen ndërsa tensionet ndërkombëtare janë të larta dhe ndërsa SHBA-ja vazhdon të ushtrojë ndikim mbi politikat e aleatëve të saj në NATO.
I pyetur nëse nën udhëheqjen e tij SHBA do të garantonte furnizimin me gaz në Evropë, Trump u përgjigj “po”.
“Ne do të bënim absolutisht një marrëveshje energjetike me Evropën dhe do ta miratonim atë.”
Ai thekson rëndësinë e dërgesave të LNG (gazit natyror të lëngshëm) të Amerikës në BE.
Amerika është tashmë një furnizues kryesor i LNG-së për BE-në 27-anëtare dhe roli i saj pritet të rritet edhe më tej. Trump u ankua se Europa e trajton padrejtësisht Amerikën.
Presidenti amerikan ndër të tjera tha se administrata e tij trashëgoi “politikat e dështuara” dhe “kaosin ekonomik” dhe kritikoi shpenzimet e deficitit, rregulloret dhe “tatimet e fshehura”.
Ai tha se çmimet arritën kulme dhe Biden “ka humbur kontrollin” e ekonomisë. Ai deklaroi se po ndërmerr veprime për të ndryshuar këtë dhe politikat “e të majtës radikale”