Bashkia e Elbasanit u është përgjigjur taksistëve pas protestës së tyre ditën e sotme.
Drejtoresha e Transportit Alba Canaj, deklaroi se bashkia ka miratuar më shumë vendqëndrimi për taksi sesa ka taksi të licencuara.
Ajo shtoi më tej se taksistët që punojnë pa licencë janë gjobitur herë pas here për të shmangur konkurrencën e pandershme që ata u bëjnë taksistëve të licencuar.
“Në rastin e kërkesave që paraqesin operatorët e sistemit të transportit të taksive 4+1, me gjithë qasjen tonë dhe takimet e diskutimet që kemi pasur edhe më herët, organizimi dhe procedurat me të cilat bashkia operon, të paktën sa u përket vendqëndrimeve janë të miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak. Në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak të janarit të vitit 2020 janë përcaktuar në total 94 vende qëndrimi për taksi 4+1, që do të thotë kemi më shumë vende qëndrimi se taksi të licensuara. Mjete taksi 4+1 me karburant apo flota elektrike janë më pak në numër se vendet e qëndrimit të përcaktuara për to në qytetin e Elbasanit. Kjo nuk sjell konflikt brenda llojit. Mund të kishim problematika vetëm nëse nuk do të kishim vendqëndrime të mjaftueshme. Nga ana tjetër përsa i përket konkurencës së pandershme, bashkia e Elbasanit bashkëpunon me Policinë Bashkiake dhe atë të Rrugore për të moslejuar taksitë e paligjshme. Pikërisht kjo është një problematikë që e pengon konkurencën pasi një person që nuk paguan taksa pengon një operator të rregullt. Problematika kemi hasur me zonën e Bradasheshit dhe disa herë subjektet e paligjshme që operojnë në këtë linjë paligjshmërisht janë ndëshkuar’, tha Canaj duke shtuar se bashkia në bashkëpunim me spitalin e Elbasanit ka vendosur pesë vende qëndrimi për taksitë brenda rrethimit të spitalit.