Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë socialiste për përdorimin e fondeve publike në shërbim të fushatës elektorale.
Në një video të publikuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku denoncon planin e qeverisë për të paguar 400 milionë euro për projekte të me karakter elektoral, në ditët e fundit të janarit, një praktikë që ajo e cilëson si në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe etikën e qeverisjes.
“400 milionë euro bëhen gati për ditët e fundit të janarit,” deklaroi Tabaku. “Paguajnë për projekte që nuk i kanë realizuar fare, që as kanë për të përfunduar ndonjëherë, por i duhen si karamele elektorale për t’i inauguruar në ditët e para të fushatës.”
Sipas deputetes së PD-së, kjo strategji e qeverisë është e mirënjohur, ku fondet publike shpesh shfrytëzohen në mënyrë të pabarabartë për të përforcuar pushtetin gjatë periudhave elektorale.
“Gjithçka është në funksion të fushatës,” theksoi ajo. “Projekte në 3D, rrugë që inaugurohen dhjetë herë, shkolla që nuk hapen, kompjuterë që nuk ekzistojnë, tunele që rrëzohen.”
Tabaku gjithashtu kritikoi qeverinë për mospërmbushjen e projekteve gjatë 11 muajve të vitit dhe për vonesat e qëllimshme, të cilat shfrytëzohen më pas për të justifikuar pagesa masive në prag të zgjedhjeve. Ajo përmendi se “ato pak projekte që kanë përfunduar janë realizuar vetëm përmes kontratave të debatueshme PPP, ndërsa buxheti i shtetit përdoret në funksion të interesave elektorale.”
Deputetja e PD-së e mbylli mesazhin e saj duke paralajmëruar për abuzimet e qeverisë dhe duke ftuar qytetarët të reagojnë ndaj praktikave të tilla, të cilat, sipas saj, dëmtojnë transparencën dhe demokracinë.
“Këto 400 milionë euro janë shembulli më i mirë i keqmenaxhimit dhe arrogancës së kësaj qeverie, që vepron gjithnjë në dëm të qytetarëve dhe në favor të pushtetit të saj,” përfundoi Tabaku.
“400 milion euro bëhen gati për ditët e fundit të janarit
Paguajnë ditët e fundit të janarit për projekte të cilat nuk i kanë realizuar fare. Në fakt, as kanë për të përfunduar ndonjëherë, por i duhen gati si karamele elektorale për t’i inauguruar në ditët e para të fushatës që po fillon.
Këto projekte që nuk zbatohen për njëmbëdhjetë muaj, zbatohen dhe paguhen muajin e fundit të vitit. Projekte që nuk janë bërë në dymbëdhjetë vitet socialiste, kujtohen vitin e fundit për të përforcuar dhe për të shtuar forcat që i duhen.
Gjithçka është në funksion të fushatës. Janë shembulli më i mirë, shëmbëlltyra më e mirë e qeverisë socialiste. Projekte në 3D, rrugë që inaugurohen nga dhjetë herë, shkolla që nuk hapen, kompjuterë që nuk ekzistojnë, tunele që rrëzohen.
Kjo ka qenë panorama në fakt e këtyre viteve të fundit. Ato pak projekte që kanë përfunduar kanë qenë thjesht me kontrata PPP. Ndërkohë që pagesat shkojnë e vijnë, buxheti është hapur të gjitha në funksion dhe në shërbim të fushatës.
Ashtu si dhe këto 400 milionë euro që janë gati për t’u paguar ditët e fundit të janarit.” – thotë Tabaku në denoncimin e saj.