Rekrutonte gra për prostitucion, pranga shtetases turke


Në Tiranë është arrestuar një shtetase turke e cila akuzohet se në bashkëpunim me A.H. që është arrestuar më herët, rekrutonin shtetase të huaja nga Turqia e Azerbajxhani për t’i shfrytëzuar për prostitucion.

Gjatë kontrollit 40-vjeçares më iniciale G.Ç. i janë gjetur bizhuteri floriri e një shumë parash që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari të paligjshme.

Njoftimi

“Në vazhdim të operacionit policor të koduar “Escort,” i zhvilluar dy javë më parë, është arrestuar një shtetase turke për shfrytëzim prostitucioni. Gjatë operacionit, janë sekuestruar bizhuteri floriri dhe një shumë parash, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e paligjshme. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasen G. Ç., 40 vjeçe, banuese në Turqi.

Hetimet tregojnë se G. Ç., në bashkëpunim me shtetasen A. H. (e arrestuar më parë), rekrutonin shtetase të huaja nga Turqia dhe Azerbajxhani për t’i shfrytëzuar ato për prostitucion përmes një faqeje online. Përveç arrestimit, janë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës për dy shtetase të tjera turke, të dyshuara për ushtrim prostitucioni.”

Një 31-vjeçar është arresstuar në Gjirokastër ndërsa në kërkim është shpallur i vëllai. K.Xh. bashkë më të vëllanë, 29-vjeçarin E.Xh. akuzohen se mbrëmjen e djeshme kanë goditur 41-vjeçarin F.K.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin K. Xh., 31 vjeç, dhe shpallën në kërkim shtetasin E. Xh., 29 vjeç (vëllezër), të dy banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se mbrëmë, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin F. K., 41 vjeç, banues në Gjirokastër, i cili është dëmtuar lehtë.

Gjatë kontrollit në banesën e vëllezëve, u gjet e fshehur dhe u sekuestrua sasia 240 gramë cannabis sativa. Gjithashtu, u gjetën 2 mjete prerëse (shtiza artizanale), që i posedonte pa leje babai i tyre, shtetasin I. Xh., 55 vjeç, banues në Gjirokastër, për të cilin u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë”, thuhet në njoftimin e policisë.