“Spitali SHEBA i Izraelit do sjellë dije, qasje strategjike e teknologji pararojë” – Rama në QSUT


Kryeministri Rama tha sot se partneriteti  i QSUT-së me spitalin “SHEBA Medical Center” në Tel Aviv do jetë një ndihmë shumë e  madhe për mjekët shqiptarë në dije e menaxhim.

Gjatë vizitës në QSUT, kreu i qeverisë tha se duke nisur nga Spitali Onkologjik, SHEBA do mundësojë dije të reja në trajtimin e sëmundjeve si dhe qasje strategjike e teknologji të avancuar.

Ne duam që në radhë të parë, QSUT të ngrejë në standarde evropiane dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare nivelin e menaxhimit. Ajo që kemi diskutuar me profesorin dhe ekipin e tij në Tiranë ishte që në këndvështrimin e tyre, pas vizitës të detajuar në QSUT, thanë se QSUT ka një brumë profesionistësh me të cilën mund të bëhet një bukë e nivelit më të lartë. Ajo çka qartësisht i duhet qendrës një nivel tjetër menaxhimi, kulturë menaxhimi, qasje menaxhimit që ka të bëjë me një traditë që na mungon dhe nuk mund të krijohet sepse thjesht ke dëshirë.

Paralelisht me asistencën e drejtpërdrejtë në terren, bashkërisht përditë do të zbatojmë një strategji të ngritjes së qendrës në nivel tjetër. Në jetën e përditshme të spitalit do ketë një sinergji të vazhdueshme. Sot falë teknologjisë, procesi i ndërveprimit, konsultimit do jetë në kohë reale. Ky është angazhimi më madhor që kanë marrë miqtë izraelitë. Ti kushtosh kohë dhe energji edhe ngarkesës së dikujt tjetër jashtë vendit është një sakrificë që përgjithmonë do t’i jemi mirënjohës miqve izraelitë. Aspekti tjetër, aspekti i teknologjisë.

Është një çështje dijeje. Mund të kesh fonde, por nëse nuk ke dije dhe qasje strategjike, thjesht dhe vetëm mund të blesh më parë atë që mund të blesh më pas. Teknologjia i SHEBA është një nga pararojat në mjekësi. Kemi diskutuar dhe planin e investimeve në spital që do jetë në asistencën e këshillave të miqve në Izrael.” – tha Rama.