Një 27 vjeçar është arrestuar nga policia ditën e sotme, pasi siguronte kokainë dhe cannabis dhe i ndante në doza në banesë për t’i shitur në qytetin e Divjakës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, finalizuan operacionin policor të koduar “Kontaktet”, ku në pranga u vendos Lulzim Hoxha, 27 vjeç, banues në fshatin Bishtçukas.
Policia ka sekuestruar qese me kokainë e cannabis në formë boçeje, dhjetra doza kokainë e cannabisi gati për shitje, pajisje për ndarjen e lëndëve narkotike në doza, shuma parash në valuta të ndryshme të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, 6 celularë dhe 1 automjet.
‘Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 142 gramë Kokainë, 205 gramë Cannabis Sativa, dhjetra doza kokainë e kanabis, pajisje për përgatitjen e lëndëve narkotike në doza për shitje, shuma parash në valuta të ndryshme të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, 6 celularë dhe 1 automjet’, njoftoi sot policia.
Gjithashtu Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar një 40-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.
Operacioni u zhvillua në rrugën “Dritan Hoxha”, ku shërbimet e Policisë Rrugore, bazuar në inteligjencën policore, lokalizuan dhe ndaluan automjetin tip “Nissan” që drejtohej nga shtetasi Ergest Prifti.
Gjatë kontrollit të automjetit, Policia zbuloi një shkop metalik, i cili u sekuestrua. Nga verifikimet e kryera rezultoi se 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Torinos në Itali, e cila kishte lëshuar një urdhër arresti për të, për akuzat e rënda të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në organizata kriminale, sipas Kodit Penal të Italisë.
Pas ndalimit, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin nr. 2 të Tiranës kryen arrestimin provizor të Priftit me qëllim ekstradimin e tij në Itali.
Interpol Tirana po ndjek procedurat për finalizimin e ekstradimit të tij tek autoritetet italiane.