Pete Hegseth siguroi ngushtë votat enevojshme për t’u bërë Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, një fitore e madhe për Presidentin Donald Trump pas kundërshtimit të ashpër nga demokratët dhe madje edhe disa republikanë ndaj kandidatit të tij të diskutueshëm.
Hegseth u konfirmua pas një votimi 50-50 në Senat, pasi zv. Presidenti Vance erdhi në Kongres për të prishur barazimin në rolin e tij si president i Senatit, pasi tre republikanë iu bashkuan demokratëve dhe të pavarurve.
Hegseth, një ish-personalitet i Fox News dhe veteran i dekoruar, po premton të sjellë ndryshime të mëdha në Pentagon. Por drejtimi i tij do jetë nën vëzhgim të ashpër pas një rishikimi të konfirmimit që ngriti pyetje serioze në lidhje me kualifikimet, temperamentin dhe pikëpamjet e tij për gratë në luftime.
“Ne nuk kemi pasur një Sekretar të Mbrojtjes si Hegseth më parë,” tha Jeremi Suri, një Profesor i Historisë në Universitetin Austin të Teksasit.
Hegseth është kandidati më përçarës ndonjëherë në detyrën kryesore të ushtrisë amerikane, një pozicion që historikisht u ka shkuar kandidatëve me përvojë të thellë në drejtimin e organizatave të mëdha dhe që gëzojnë mbështetje të gjerë dypartiake.
Tre senatorët republikanë që votuan kundër Hegseth ishin Lisa Murkokski, Susan Collins dhe Mitch McConnell, i cili ishte udhëheqësi i partisë në Kongres deri këtë muaj.
McConnell tha se Hegseth kishte dështuar të tregonte se kishte aftësinë për të menaxhuar në mënyrë efektive një organizatë aq të madhe dhe komplekse sa ushtria.
“Thjesht dëshira për të qenë një “peson që premton ndryshime të mëdha” nuk mjafton,” tha McConnell në një deklaratë.
Hegseth do drejtojë 1.3 milionë anëtarë të shërbimit aktiv dhe gati 1 milion civilë që punojnë për ushtrinë amerikane, e cila ka një buxhet vjetor prej afro 1 trilion dollarësh. Hegseth u tha ligjvënësve se, deri në këtë pikë, grupi më i madh që ai kishte menaxhuar ishte 100 persona dhe buxheti më i madh ishte 16 milionë dollarë.
Nominimi i tij u trondit nga një sërë akuzash, duke përfshirë një këtë javë nga ish-kunata e tij, e cila tha se ai abuzoi me gruan e tij të dytë deri në atë masë sa ajo u fsheh në një dollap. Hegseth i mohoi me forcë akuzat dhe gruaja e tij kishte mohuar më parë çdo abuzim fizik.