Vrasja e 48-vjeçarit/ Policia gjen një armë me silenciator, kapet 37-vjeçari në Kamëz, në kërkim miku i Admir Tafilit


Një 37-vjeçar është arrestuar në Kamëz pasi i është gjetur një armë zjarri automatike me silenciator, 15 fishekë ndërsa në oborrin e banesës i janë gjetur katër gëzhoja armësh.

Në pranga ka rënë Eduard Lami, banues në Kamëz.

Ndërsa në kërkim është shpallur Ervis Lami, 31 vjeç. Kontrollet e policisë u kryen lidhur me vrasjen e 48-vjeçarit Lulzim Visha mëngjesin e djeshëm në Zall Mner.

Disa anëtarë të familjes Lami kanë pasur një përplasje me Vishën pak kohë më parë për çështje pronash, shkruan Shqiptarja, dhe banesa e tyre ishte ndër të parat e kontrolluara nga policia.

Ervis Lami njihet si një nga miqtë e Admir Tafilit dhe ka qenë bashkëpunëtor  në arratisjen së 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës më 23 nëntorit 2013, në mesin e të cilëve edhe Admir Tafili. Në atë kohë, Ervis Lami pati deklaruar se plani për arratisje është bërë nga ai dhe Admir Tafili, madje edhe armët në burg i kishte futur vetë ai, duke marrë përsipër të gjithë skemën.

Njoftimi

Kontrolle intensive dhe punë profesionale hetimore për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e  autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit,  mëngjesin e djeshëm në Kamëz.

Në kuadër të kontrolleve bazuar në inteligjencën policore, Strukturat hetimore dhe operacionale  të DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar  “Silenciatori”, goditën një rast të armëmbajtjes pa leje.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. L, në rrugën Paqësore, Zall Mner, Kamëz,  shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë .

Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë  i shtetasit E. L., 37 vjeç, banues në Kamëz., për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.

Po në kuadër të operacionit si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E. L., 31 vjeç.

Nga tërësia e veprimeve paraprake hetimore, administrimit të provave dhe fakteve, rezulton se banesa ku janë gjetur sendet e kundraligjshme është në posedim të shtetasit E.L dhe përdoret nga të dy shtetasi  E.L 37 dhe E.L 31 vjec.

Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.