Kreu i OBSH-së planifikon shkurtim masiv  të kostove pas largimit të SHBA-së


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do zvogëlojë kostot dhe do rishqyrtojë se cilat programeve shëndetësore t’u japë prioritet pasi Presidenti Donald Trump njoftoi se SHBA-ja do tërhiqej nga OBSH-ja, sipas një memoje të brendshme të drejtorit të përgjithshëm të organizatës, të pare nga Reuters.

Trump e bëri këtë njoftim në ditën e parë të mandatit të tij të dytë të hënën, duke e akuzuar agjencinë shëndetësore të OKB-së për menaxhimin e gabuar të pandemisë COVID-19 dhe krizave të tjera ndërkombëtare shëndetësore.

“Ky njoftim e ka bërë gjendjen tonë financiare edhe më të vështirë.” – tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në memon e datës 23 janar. Memoja thotë se OBSH-ja planifikon të zvogëlojë ndjeshëm shpenzimet e udhëtimeve dhe të ndalojë rekrutimet, përveç në zonat kritike, si pjesë e masave për kursimin e kostove.

Një zëdhënës i OBSH-së konfirmoi autenticitetin e memos, e cila u raportua për herë të parë nga Reuters por kundërshtoi të komentonte më tej.

OKB-ja konfirmoi të enjten se SHBA-ja do tërhiqej nga OBSH-ja më 22 janar 2026, pas një periudhe njëvjeçare njoftimi të kërkuar sipas një rezolucioni të përbashkët të Kongresit Amerikan nga viti 1948. Rezolucioni gjithashtu thotë se Uashingtoni duhet të paguajë kontributet e tij për OBSH-në para se të largohet.

SHBA-ja është mbështetësi më i madh financiar i OBSH-së, duke dhënë rreth 18% të financimit të përgjithshëm. Buxheti më i fundit dyvjeçar i OBSH-së, për vitet 2024-2025, ishte 6.8 miliardë dollarë.

SHBA-ja tashmë i detyrohet OBSH-së rreth 130 milionë dollarë për tarifat e anëtarësimit që duhej të paguheshin një vit më parë, në janar 2024, tha zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, në një takim të OKB-së në Gjenevë të premten, megjithëse ai tha se një vonesë e tillë nuk është e pazakontë.

“Ne gjithashtu nuk kemi marrë kontributin për vitin 2025, tarifën e anëtarësimit, e cila duhej të paguhej tani,” shtoi ai. Kontributi i SHBA-së për OBSH-në përfshin gjithashtu tarifa vullnetare, të destinuara për programe të caktuara dhe ato pagesa mund të ndërpriten në çdo kohë, shtoi ai.

Memoja tha se OBSH-ja tashmë kishte punuar për të reformuar organizatën dhe për të ndryshuar mënyrën e financimit të saj, me shtetet anëtare që rritën tarifat e tyre të detyrueshme dhe kontribuan në raundin e investimeve të nisur vitin e kaluar.

Por memoja tha se do nevojiteshin më shumë fonde dhe njëkohësisht do duhej të zvogëloheshin kostot. Kjo do përfshinte organizimin e të gjitha takimeve virtualisht si parazgjedhje, pa miratim të veçantë, kufizimin e zëvendësimit të pajisjeve të IT-së dhe pezullimin e rinovimeve të zyrave, përveç nëse ato lidhen me sigurinë ose janë miratuar tashmë si masë.