Lejuan ndërtime pa leje, pezullohet kreu i IMT-së e inspektori në Bashkinë Roskovec


Kreu i IMT-së pranë Bashkisë Roskovec Enea Çepele e inspektori Sali Musta janë pezulluar nga detyra, pasi lejuan ndërtime pa leje dhe shpërdoruan detyrën.

Sipas prokurorisë, Çepele e Musta kanë qenë në dijeni të ndërtimeve pa leje në zonën që mbikëqyrnin po i kanë lejuar.

“Procedimi penal i mësipërm lidhet me ngjarjen e datës 14.09.2024, ku në fshatin Suk-1, Njësia Administrative Strum, Bashkia Roskovec, ka humbur jetën shtetasi S.B., gjatë kohës që ai kryente punime për llogari të shtetasit E.D. Ndaj shtetasit E.D, u caktua më parë masa e sigurimit “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave te mbrojtjes në punë”, “Shpërdorimi i tokës”. Krahas këtyre veprave, në dinamikë të hetimit u provua se shtetasi E.D, ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kompetente. Për këtë fakt të evidentuar është regjistruar ndaj tij si person nën hetim dhe vepra penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a pg.4’, njoftoi prokuroria sot.

Prokuroria gjithashtu, ka arritur të evidentojë faktin se Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Roskovec, ka qënë në dijeni dhe ka lejuar kryerjen e punimeve pa leje, në një sipërfaqe rreth 320 m2, mbi tokë bujqësore, për qëllime ekonomike dhe pa lejen e organeve kompetente, në këtë rast Bashkia Roskovec.” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.