
Presidenti Begaj ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Nanullatos.
Ai shkruan se ky është çast pikëllimi j vetëm për Kishën Autoqefale të Shqipërisë po edhe ata që patën fatin ta njihnin e vlerësonin kontributin e tyre për paqen, dialogun fetar e bamirësinë.
Begaj shton se Janullatos do mbetet simbol i përkushtimit shpoirtëror, urtësisë e forcës së karakterit.
“Me trishtim mora lajmin e kalimit në amshim të Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Ky është një moment pikëllimi jo vetëm për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por për të gjithë ata që patën fatin të njihnin dhe të vlerësonin kontributin e tij për paqen, dialogun fetar dhe veprat bamirëse në shërbim të njerëzve në nevojë.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të mbetet një simbol i përkushtimit shpirtëror, i urtësisë dhe i forcës së karakterit, duke na kujtuar rëndësinë e bashkëjetesës fetare, të tolerancës dhe të dashurisë për çdo njeri. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta besimtarëve ortodoksë, klerit dhe të gjithë atyre që do ta kujtojnë gjithmonë me mirënjohje e respekt. U prehtë në paqe!”, shkruan Begaj.

Ndërkohë kreu i Partisë së Lirisë Meta shkruan nga burgu se Kryepeshkopi Anastas Janullatos ishte udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe shembull frymëzues i dashurisë ndaj njerëzve, me vizion hyjnor e mençuri të rrallë, do t’i mbetemi përherë mirënjohës për gjithçka ka bërë
“Me trishtim të thellë dhe shumë dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe shembull frymëzues i dashurisë ndaj njerëzve, me vizion hyjnor e mençuri të rrallë, do t’i mbetemi përherë mirënjohës për gjithçka ka bërë në këto vite për Lavdinë e Zotit, për të mirën e Kishës, që në rrethana të vështira e ringriti nga gërmadhat dhe e zhvilloi më tej, për të mirën e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, për forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë. Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme për drejtuesit e lartë të Kishës dhe mbarë komunitetin ortodoks të Shqipërisë! Trashëgimia e Kryepeshkopit Anastas do të mbetet gjithmonë e gjallë dhe kujtimi i Tij do të jetë i paharruar” – shkruan Meta.

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha shkruan se humbja e Kryepeshkopit Anastas ishte humbja e udhëheqësit shpirtëror të besimtarëve. Basha shton se ai e udhëhoqi Kishën me mençuri, përkushtim e dashuri për njerëzit.
“Shqipëria humbi sot Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasin, udhëheqësin shpirtëror dhe figurën e shquar të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjatë udhëheqjes së tij, Fortlumturia e tij ka udhëhequr Kishën me mençuri, përkushtim dhe dashuri për njerëzit, duke kontribuar në forcimin e saj dhe në krijimin e një rruge të re për besimin ortodoks shqiptar, veçanërisht pas periudhës së vështirë të kaluar.
Ai ishte një shembull i palodhur i përkushtimit shpirtëror dhe një udhërrëfyes për të gjithë ata që e ndoqën. Në këtë moment të dhimbshëm, shprehim ngushëllimet tona më të thella për Kishën dhe për gjithë besimtarët, që humbën atin dhe kryebariun e tyre, një udhëheqës të dashur dhe të nderuar. Trashëgimia e Fortlumturisë së tij do të mbetet gjithmonë e gjallë në zemrat e atyre që e nderuan dhe e donin. Lutemi që Zoti t’i dhurojë prehjen në tendat e të drejtëve dhe qoftë kujtimi i tij i përjetshëm!” – shruan Basha.
