Protesta masive kundër kryeministrit sllovak për afrimin me Rusinë, Fico refuzon të japë dorëheqjen


Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka refuzuar kërkesat për dorëheqje pas protestave masive të organizuara kundër politikave të tij të fundit që tregojnë një afrimitet të qartë me Rusinë. 

Rreth 60,000 protestues u mblodhën në kryeqytetin Bratislavë të premten, ndërsa afro 100,000 persona protestuan në qytete të tjera të vendit. Këto janë protestat më të mëdha që nga kthimi i Ficos në pushtet në vitin 2023, përcjell The Guardian.

Pakënaqësitë janë rritur ndjeshëm pas udhëtimit të tij privat në Moskë në dhjetor, ku zhvilloi një takim me presidentin rus, Vladimir Putin. 

“Qeveria mund të ndryshohet vetëm përmes zgjedhjeve,” deklaroi Fico gjatë një interviste për transmetuesin publik të shtunën, duke iu përgjigjur thirrjeve për dorëheqje. 

Administrata e Ficos, e cila udhëhiqet nga një koalicion nacionalist-majtist, akuzoi këtë javë opozitën progresiste se po përpiqet të përshkallëzojë protestat me qëllim përmbysjen e qeverisë në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, partitë opozitare dhe grupet qytetare hodhën poshtë këto akuza. 

Kritikët kanë shprehur shqetësime se koalicioni qeverisës po dobëson vlerat demokratike dhe po zhvendos politikën e jashtme të vendit larg aleatëve të BE-së dhe NATO-s, drejt një afrimi me Rusinë. 

Grupi qytetar “Mier Ukrajine” (Paqe për Ukrainën), që organizoi protestat e së premtes, njoftoi se do të mbajë demonstrata të tjera më 7 shkurt. 

Fico, ndërkohë, mbrojti politikat e qeverisë së tij, duke deklaruar se ato synojnë të ruajnë marrëdhënie të mira me të gjitha palët. “Pavarësisht kritikave ndaj disa politikave të BE-së, politika jonë përcaktohet nga anëtarësimi në BE dhe NATO,” shtoi ai. 

Protestat masive dhe reagimet e ashpra të opozitës po e vendosin qeverinë sllovake përballë një presioni të paparë, ndërsa përplasjet mbi orientimin strategjik të vendit vijojnë të intensifikohen.