Kryeministri Edi Rama shpalli shtetin bektashi, ndërsa mbante fjalën në ceremoninë e 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.
Kryeministri Rama theksoi se kryegjyshatës do t’i jepet një status i veçantë, ndërsa shtoi se komunitetet e tjera fetare nuk kanë arsye të shqetësohen, pasi është trajtim i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri.
“Selia e Kryegjyshatës do ketë status të veçantë. Shqipëria është shtet unitar, nuk është shtet federal, Komunitetet e tjera fetare nuk kanë arsye të shqetësohen, është trajtim i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri. Të tjerët do ta kishin shpikur, ne e kemi dhe jemi gati ta lëmë të vdesë. Një emblemë e tillë i jep Shqipërisë më shumë dritë. Bektashizmi është monument i gjallë kulture që duhet të mbrohet me doemos nga shteti dhe populli shqiptar. Këto mund ti them pa gajlen më të vogël, sepse në këtë rast shyqyr zotit nuk jam bektashi dhe nuk mund të më akuzojë njeri që po bëj diçka në favor të një pale. Bektashinjtë nuk janë palë, rruga e mundshme e bektashinjve shqiptarë është një rrugë unikale, mistike, tolerance dhe uniteti që mishërohet në fjalët e Naimit. Për Naimin, bektashizmi është vlerë e posaçme kombëtare se nuk sheh dallim mes myslimanit dhe të krishterit, se të gjithë janë një në zyrë e zotit. Bektashizmi është një traditë shpirtërore që e ka ndikuar thellë pëlhurën kulture fetare, dhe shoqërore të Ballkanit.”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se bektashizmi në Shqipëri nuk ka ardhur me ushtri dhe as më shpatë por me zemër e dashuri dhe duhet mbrojtur pasi është në rrugët e shuarjes e për këtë arsye do i jepet status i veçantë, i njëjtë me të Vatikanit.
“Është thesar shpirtëror jo vetëm për bektashinjtë, por edhe për myslimanët, katolikët, ortodoksët, edhe për protestantët, çdo kënd tjetër pavarësisht se s’beson fare në Zot por që i thotë vetes shqiptar. Të gjithë të tjerët janë me shumë vëllezër dhe motra, nga një cep i globit në një tjetër. Bektashinjtë janë vetëm, nëse erdhën këtu 95 vjet më parë si jetimë të një perandori që u tregoi derën, bektashizmi këtu nuk mund të vdesë si një jetim që shqiptarët i tregojnë rrugën. Sepse do të ishte vrasja me duart tona e të gjithëve ne e një vlere shpirtërore që siç është brenda nesh sot, duhet tu përcillet brezave jo një emër të një komuniteti shqiptar, por në emër të një historie shqiptare. Ky komunitet është në rrugët e shuarjes, është diçka që po ndodh para syve tanë dhe prandaj historia e bektashive është në vetvete thirrja imponuese për ti dhënë selisë përmes një statusi të ngjashëm me të Vatikanit, fuqinë e një embleme, e cila nuk do përçajë askënd, e cila nuk do kërcënojë askënd, e cila nuk do vërë në cenim integritetin territorial të Shqipërisë, se ca nuk dëgjon njeri nga shqipot kur do të bëjë ndonjë punë që të tjerët se kanë bërë. Shqipëria është shtet unitar, edhe Italia është unitar, por i ka nja tre realitet brenda saj me statuse të tilla, ashtu sikundër komunitetet e tjera fetare nuk kanë arsye të shqetësohen nga ky trajtim veçantë, se ky nuk është trajtim i veçantë i një komuniteti, por një trajtim i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore ne Shqipëri. Të tjerët do ta kishin shpikur edhe sikur të mos e kishin, ne e kemi edhe jemi gati që ta lemë të vdesë. Një emblemë e tillë i jep Shqipërisë edhe më shumë dritë.” – shtoi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se shteti bektashi nuk do ketë ushtri e taksa po thjesht një shtet shpirtëror.
“Pa ushtri, pa taksa, por një seli. Një shtet shpirtëror që e pret çdo vizitor. Askush nuk ka pse t’i trembet, gjithkush duhet ta shohë si detyrim për të mos e lënë të vdesë, për t’i garantuar vazhdimësinë e jetës.”