Kryeministri Edi Rama premtoi ditën e sotme shpalljen e krijimit të shtetit bektashi, duke garantuar se statusi i posaçëm i selisë së Kryegjyshatës Botërore nuk cenon aspak sovrantitetin territorial.
Kreu i PD, Sali Berisha, dënoi projektin e shtetit sovran bektashi brenda territorit të Shqipërisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet socilae, Berisha shprehet se klerikët patriotë bektashinj kanë luftuar për sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe kurrë për principata fetare. Për këtë arsye vendimin e qeverisë ai e konsideron si antikushtetues dhe antishqiptar.
“Klerikët patriotë bektashinj kanë luftuar për sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe jo kurrë për principata fetare, sepse ishin atdhetarë të flaktë dhe jo trafikantë e tradhtarë antishqiptarë. Me këtë akt antikushtetues, ky antishqiptar i damkosur kërkon të fusë në Shqipëri përçarje të thellë fetare, të përdorë territorin e Shqipërisë si pronë private të tij dhe grupeve antishqiptare që përfaqëson dhe të krijojë një epiqendër të trafiqeve kriminale ndërkombëtare.
Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe projektin e shtetit Islamik Bektashinj brenda territorit të Shqipërisë dhe garanton bektashinjtë shqiptarë dhe të gjitha komunitetet tona fetare se ajo, duke respektuar me rreptësi parimin e ndarjes së shtetit nga feja, do qëndrojë në krah të tyre e palëkundur në mbrojtje të harmonisë dhe tolerancës së shkëlqyer fetare të kombit tonë dhe nuk do njohë kurrë krijesa të tilla antikushtetuese e antishqiptare”, shkruan Berisha.