Një 36-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës pasi akuzohet se ka siguruar makinën që u përdor nga autorët e atentatit ndaj Kristian Markut (Bardhit).
Sipas bluve të qytetit bregdetar, pas hetimeve është vërtetuar se mjeti i atentatit të 13 janarit 2025 është siguruar nga Erald Cenaj, banues në Kukës.
Marku u qëllua teksa po udhëtonte nga Fieri drejt Vlorës pranë fshatir Novoselë. Ai është nipi i Martin Bardhit i cili u vra në shtator të vitit 2023 ndërsa dyshohet se ngjarja ka të bëjë me përplasjet mes fiseve Bardhi e Reçi në Mirditë.
Njoftimi
“Veprime të thelluara hetimore, bazuar edhe në inteligjencën informative, për zbardhjen e vrasjes së ndodhur më 13 janar 2025, identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit/ëve.
Siguroi automjetin e përdorur për vrasjen e shtetasit Kristian Marku alias Kristian Bardhi, ndalohet 36-vjeçari Erald Cenaj, me origjinë nga Kukësi.
Në vijim të veprimeve intensive nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, u bë ndalimi i shtetasit:
E.C., 36 vjeç, lindur dhe banues në Kukës, i dyshuar për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, u arrit të dokumentohej se automjeti i përdorur nga autori/ët për vrasjen e shtetasit Kristian Marku alias Kristian Bardhi është siguruar nga shtetasi E. C., lindur dhe banues në qytetin e Kukësit.
Njëkohësisht, gjatë periudhës hetimore janë kryer veprime dhe janë sekuestruar prova që i shërbejnë hetimit me qëllim zbardhjen e ngjarjes.
Në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.”