
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, denoncoi sot keqpërdorimin e fondeve publike nga qeveria ndërsa akuzoi këtë të fundit për pasojat e rënda në ekonomi të koncesioneve të dhëna në mënyrë abusive.
Ajo tha se deri sot janë dhënë milliard euro nga buxheti për projekte që në pjesë dërrmuese nuk ekzistojnë ndërsa nënvizoi se fondet kanë shkuar për rrugë të pandërtuara, shkolla që nuk janë hapur e inceneratorë që janë kthyer në afera korruptive.
Deputetja demokrate shtoi se shifra e plotë e koncesioneve të firmosura ka arritur në 3 miliardë euro, duke i quajtur këto projekte si fonde të shpërdoruara për interesat e një pakice të privilegjuar.
“95% e qytetarëve paguajnë taksat në mënyrë të ndershme, punojnë 2 apo 3 punë dhe përballen me barrën e rëndë të shtetit, ndërkohë që një grup i vogël përfiton nga ky sistem i padrejtë. Transparencë e plotë për çdo shpenzim të buxhetit të shtetit. Drejtësi dhe barazi në shpërndarjen e fondeve publike, duke ndalur klientelizmin dhe korrupsionin dhe vlerësim për punën dhe kontributin e çdo qytetari, nga sipërmarrësit e deri te të rinjtë dhe pensionistët. Ky model ekonomik ka favorizuar një pakicë, ndërsa shumica e shqiptarëve luftojnë çdo ditë për të mbijetuar. Duhet t’i japim fund këtij sistemi të padrejtë,” – thekson Tabaku në mesazhin e saj.