Turizmi kulturor duket se ka rritur peshën e tij në totalin e turizmit në vend ku vizitorët në kala, muze e parqe arkeologjikë shënuan një rritje me 32 për qind në janar-nëntor 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se në total ishin 1.2 milionë vizitorë deri në fund të nëntorit. Nëse marrim si referencë numrin e të huajve që hynë në vend deri në fund të nëntorit prej 11.1 milionë do të thotë që të paktën 1 në 9 turistë kanë vizituar një park, muze apo kala edhe pse kjo nuk është tërësisht e saktë po të kemi parasysh që vizitorë në institucionet kulturore mund të jenë edhe vendasit.
Sa i takon Muzeve në krye të listës për janar-nëntor 2024 qëndron Muzeu Gjergj Kastrioti në Krujë me një rritje 59 për qind në raport me të njëjtën periudhë të 2023-it.
Këtë muze rezulton ta kenë vizituar 170 mijë vizitorë. I dyti në listë është Muzeu Ikonografik Onufri në Berat me 104.4 mijë vizitorë dhe një rritje 40 për qind në raport me 11 mujorin e vitit 2023. I treti është Muzeu i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” me një rritje 61 për qind në raport me 11 mujorin 2023.
Numri i vizitorëve në janar-nëntor ishte 73.8 mijë. Pjesa tjetër e muzeve kanë një prezencë më të ulët përfshi Muzeun Historik në Tiranë që gjatë vitit 2024 u mbyll për shkak të restaurimit diçka që pritet të marrë të paktën 4 vite. Vizitorët në total në muze ishin 455 mijë me një rritje 21 për qind.
Sa i takon vizitorëve ne Kala në krye qëndron Gjirokastra me 260 mijë vizitorë dhe një rritje 23 për qind në raport me 11 mujorin 2023. E dyta është kalaja e Porto-Palermos që ka regjistruar në janar-nëntor 30 mijë vizitorë apo një rritje 70 për qind në raport me të njëjtën periudhë të 2023-it.
I treti është Amfiteatri në Durrës me 23 mijë vizitorë çka rezulton me një rënie 12 për qind në raport me 11 mujorin 2023. Në total në kala e monumente të tjera numri i vizitorëve ishte 341 mijë apo 29 për qind rritje në raport me të njëjtën periudhë në vitin 2023.
Ndër Parqet Aerologjikë në vend, në krye qëndron Butrinti me 195 mijë vizitorë në 11 muaj të 2024 çka është një rritje me 65 për qind në raport me të njëjtën periudhë të 2023. Parku i dytë është ai i Shkodrës me 153 mijë vizitorë apo një rritje 26 për qind në raport me janar-nëntor 2023 dhe i treti parku i Apolonisë me mbi 120 mijë vizitorë apo 49 për qind më shumë se në vitin paraardhës.
Në total Parqet Arkeologjikë i kanë vizituar 489 mijë vizitorë me një rritje 46 për qind në raport me janar-nëntor 2023./ N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor