Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se beson që Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin e Grenlandës, pasi ka rikthyer interesin e tij për blerjen e këtij territori autonom danez.
“Mendoj se do ta kemi,” tha ai për gazetarët në bordin e Air Force One të shtunën, duke shtuar se “banorët e ishullit duan të jenë me ne.”
Komentet e tij vijnë pas raportimeve se kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka insistuar gjatë një telefonate të tensionuar javën e kaluar se Grenlanda nuk është për shitje.
Trump ka propozuar idenë e blerjes së territorit të gjerë Arktik që nga mandati i tij i parë në 2019 dhe ka thënë se kontrolli amerikan mbi Grenlandën është një “domosdoshmëri absolute” për sigurinë ndërkombëtare.
“Mendoj se njerëzit duan të jenë me ne,” tha Trump kur u pyet për ishullin në dhomën e shtypit të avionit presidencial, përcjell BBC.
“Nuk e di me të vërtetë se çfarë pretendimi ka Danimarka për të, por do të ishte një akt shumë jomiqësor nëse nuk e lejojnë këtë të ndodhë, sepse bëhet fjalë për mbrojtjen e botës së lirë.”
Ai shtoi: “Mendoj se do ta marrim Grenlandën sepse ka të bëjë me lirinë e botës. Nuk ka të bëjë me Shtetet e Bashkuara, përveç faktit që ne jemi ata që mund të ofrojmë lirinë. Ata nuk mund ta bëjnë.”
Pavarësisht bindjes së Trump, kryeministrat e Grenlandës dhe Danimarkës kanë theksuar më parë se ishulli nuk është për shitje.
Kryeministri i Grenlandës, Múte Egede, deklaroi se përdorimi i tokës së territorit është “çështje e Grenlandës, por shprehu gatishmëri për të punuar më ngushtë me SHBA-në për mbrojtjen dhe industrinë minerare.
Ndërkohë, Frederiksen ka theksuar më herët këtë muaj se “Grenlanda u përket grenlandezëve” dhe vetëm popullsia lokale mund të përcaktojë të ardhmen e saj.
Sipas një raporti të Financial Times, Frederiksen i ka qëndruar këtij qëndrimi gjatë një telefonate 45-minutëshe me Trump javën e kaluar, të cilën një zyrtar evropian anonim e përshkroi si “të tmerrshme.”
Zyrtari tha gjithashtu se interesi i Trump për Grenlandën është “serioz dhe potencialisht shumë i rrezikshëm.”
Frederiksen, ndërsa theksoi se ishulli nuk është për shitje, pranoi **“interesin e madh”** të SHBA-së për të.
Grenlanda ndodhet në rrugën më të shkurtër nga Amerika e Veriut në Evropë, gjë që e bën atë strategjikisht të rëndësishme për SHBA. Gjithashtu, ishulli është shtëpi e një objekti të madh hapësinor amerikan.
Në vitet e fundit, interesi për burimet natyrore të Grenlandës, përfshirë mineralet e rralla, uraniumin dhe hekurin, është rritur ndjeshëm.
Megjithëse Grenlanda ka autonomi të gjerë, ajo mbetet pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.
Ndërkohë, në Grenlandë ekziston një konsensus i përgjithshëm që ishulli do të bëhet eventualisht i pavarur, çka mund të hapë rrugën për një marrëdhënie të re me SHBA-në.
Deklarata e Trump se banorët e Grenlandës “duan të jenë me ne” ka habitur disa nga banorët e ishullit.
Një kapiten varke peshkimi në vendbanimin Kapisillit i tha BBC-së se Trump është “i mirëpritur të vizitojë” ishullin, por theksoi se“Grenlanda u përket grenlandezëve.”
Një pleqnar i kishës lokale, Kaaleeraq Ringsted, tha se gjuha e Trump është “e papranueshme” dhe shtoi: “Grenlanda nuk është për shitje.”
Komentet e fundit të Trump kanë shkaktuar tronditje në politikën daneze, duke nxitur takime urgjente në nivel të lartë në Kopenhagë këtë muaj.