Trump propozon planin për Gazën: Të pastrohet e gjithë zona dhe popullsia të zhvendoset në vendet fqinje


 

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka propozuar një plan tejet të diskutueshëm për Gazën, duke sugjeruar që popullsia palestineze të zhvendoset në vendet fqinje dhe që zona të “pastrohet” plotësisht.

Ky propozim u bë publik gjatë një interviste me gazetarët në bordin e Air Force One.

“Unë i thashë mbretit të Jordanisë, Abdullah II, se do të më pëlqente që të merrte më shumë palestinezë, sepse aktualisht shoh Gazën si një rrëmujë të plotë,” tha Trump.

Ai shtoi se planifikon të diskutojë gjithashtu me presidentin egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, për të marrë mbështetje për këtë ide.

Trump sugjeroi se popullsia palestineze, e cila ka pësuar zhvendosje masive për shkak të konfliktit 15-mujor mes Izraelit dhe Hamasit, mund të strehohet në vende të tjera arabe.

“Ju po flisni për një milion e gjysmë njerëz. Të pastrojmë gjithë zonën dhe të nërtojmë ndërtesa të reja në vende të tjera ku ata mund të jetojnë në paqe,” tha Trump, përcjell CNN.

Propozimi i tij përfshin ndërtesa që mund të jenë “provizore” ose “afatgjata” dhe që synojnë të zëvendësojnë banesat e shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite.

Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 92% e së gjitha banesave në Gazë janë shkatërruar, dhe mbi 90% e popullsisë palestineze është zhvendosur disa herë.

Këto deklarata përfaqësojnë një ndryshim radikal nga politika tradicionale amerikane, e cila ka mbështetur zgjidhjen me dy shtete.

Ideja për zhvendosjen e popullsisë palestineze jashtë Gazës është kundërpritur ashpër nga shumë liderë rajonalë dhe organizata humanitare.

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, ka kundërshtuar më parë plane të ngjashme, duke theksuar se zhvendosja e palestinezëve në Egjipt do të nënkuptonte një prishje të madhe të balancave në rajon.

 “Zhvendosja e palestinezëve nga Gaza do të thotë zhvendosje masive që mund të krijojë pasoja katastrofike për të ardhmen e rajonit,” tha ai.

Ndërkohë, mbreti Abdullah II e ka quajtur idenë e zhvendosjes së refugjatëve palestinezë në Jordan si një “vijë të kuqe.” Jordania aktualisht strehon mbi 2.39 milionë refugjatë palestinezë, sipas të dhënave të OKB-së.

Dr. Mustafa Barghouti, një politikan palestinez i pavarur, i ka cilësuar komentet e Trump-it si të papranueshme.

“Plani i spastrimit etnik nuk do të ketë sukses, as në Gaza, as në Bregun Perëndimor,” tha ai, duke e cilësuar këtë ide si një përpjekje për të përmbushur qëllimet e Izraelit për zhdukjen e popullsisë palestineze nga territoret e tyre historike.

Komentet e Trump-it janë mirëpritur nga ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, i cili tha se “vetëm zgjidhje të reja dhe jashtë kornizës tradicionale mund të sjellin paqe dhe siguri.”

Trump gjithashtu ka konfirmuar heqjen e kufizimeve të vendosura nga administrata Biden për shitjen e bombave 2,000-pëshëshe Izraelit.

“Izraeli i ka paguar për to dhe ka pritur një kohë të gjatë. Sot i kemi lëshuar,” deklaroi ai.

Ky propozim për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza pritet të shkaktojë debate të ashpra në arenën ndërkombëtare dhe brenda vetë SHBA-ve, duke thelluar ndarjet në lidhje me politikën e jashtme ndaj konfliktit izraelito-palestinez.