35 ekzekutime në 72 orë, rebelët sirianë vrasin ish-oficerët e lidhur me Assadin


Luftëtarët e lidhur me udhëheqësit e rinj të Sirisë kanë kryer 35 ekzekutime të shpejta gjatë tre ditëve të fundit, kryesisht ndaj ish-zyrtarëve të regjimit të Bashar al-Assad, raportoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. 

Autoritetet e reja, të cilat u vendosën nga forcat rebele pas rrëzimit të Assad-it muajin e kaluar, kanë arrestuar dhjetëra persona në rajonin e Homsit për shkelje të ndryshme, duke mos dhënë detaje të qarta mbi natyrën e akuzave, përcjell The Guardian.

Sipas Observatorit, shumica e viktimave të ekzekutimeve ishin ish-oficerë të regjimit të rrëzuar që ishin dorëzuar në qendrat e ngritura nga autoritetet e reja. Observatori denoncoi gjithashtu keqpërdorimet ndaj pakicave fetare, duke përfshirë sulme ndaj simboleve fetare dhe akte dhune ndaj civilëve. 

“Anëtarë të grupeve të armatosura lokale, të lidhura me koalicionin islamik në pushtet, kanë kryer hakmarrje dhe kanë zgjidhur hesapet e vjetra me pjesëtarët e komunitetit Alavit, duke përfituar nga kaosi dhe mungesa e ligjit,” tha Observatori. 

Raportet përfshijnë: 

– Arrestime masive dhe arbitrare 

– Keqtrajtime të civilëve 

– Ekzekutime brutale dhe dhunë ekstreme 

– Mutilime të trupave dhe sulme ndaj pakicave fetare 

Grupi për Paqen Civile, një organizatë lokale, dënoi shkeljet e rënda të kryera në disa fshatra të rajonit të Homsit dhe konfirmoi viktima midis civilëve të paarmatosur. 

Që pas rrëzimit të Assad-it, udhëheqësit e rinj kanë premtuar mbrojtjen e të drejtave të pakicave fetare dhe etnike, por komuniteti Alavit vazhdon të përballet me frikë për hakmarrje për shkak të abuzimeve të regjimit të mëparshëm. 

Observatori kërkon hetime të plota dhe përgjegjësi për dhunën dhe abuzimet që po ndodhin në këtë periudhë kaotike të Sirisë.