Aleati i Putinit, Lukashenko, shpalli fituesin në zgjedhjet në Bjellorusi, të përçmuara nga Perëndimi si një mashtrim
Udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko zgjati të hënën qeverisjen e tij 31-vjeçare pasi zyrtarët elektoralë e shpallën atë fitues të zgjedhjeve presidenciale që qeveritë perëndimore i hodhën poshtë si të maniuluara.
Lukashenko, i cili nuk u përball me asnjë sfidë serioze nga katër kandidatët e tjerë në fletëvotim, mori 86.8% të votave, sipas rezultateve fillestare të publikuara në llogarinë zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Telegram.
Politikanët evropianë thanë se votimi nuk ishte as i lirë dhe as i drejtë, sepse mediat e pavarura janë të ndaluara në ish-republikën sovjetike dhe të gjitha figurat kryesore të opozitës ose janë burgosur ose janë detyruar të ikin jashtë vendit.
“Populli i Bjellorusisë nuk kishte zgjidhje tjetër. Është një ditë e hidhur për të gjithë ata që dëshirojnë lirinë dhe demokracinë,” postoi ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në X.
Zyrtarët zgjedhorë thanë se pjesëmarrja ishte 85.7% në zgjedhje, në të cilat 6.9 milionë njerëz kishin të drejtë të votonin.
I pyetur për burgosjen e kundërshtarëve të tij, Lukashenko kishte thënë në një konferencë shtypi të dielën se ata kishin zgjedhur fatin e tyre.
“Disa zgjodhën burgun, disa zgjodhën “mërgimin”, siç thoni ju. Ne nuk dëbuam askënd nga vendi,” tha ai në një konferencë shtypi që zgjati më shumë se katër orë.