Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Proda ka kërkuar përmirësim të sigurisë rrugore në vend.
Në një takim me strutkurat drejtuese të Policisë Rrugore ai theksoi se nuk kërkohet sasi gjobash por ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që përbëjnë rrezik në rrugë duke paralajmëruar për lëvizje nga detyra për drejtuesit që shkelon porositë.
“Shërbimi i Policisë Rrugore duhet të jetë model, në performancë, në komunikim, në profesionalizëm dhe në ndjenjën humane për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në nevojë. Nuk dua sasi masash administrative dhe cilido nga ju që do t’i masë treguesit e punës me sasinë e masave administrative, automatikisht do ta lëviz nga detyra. Dua cilësi në punë dhe të ndëshkoni ata që vërtet janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore, ata që xhirojnë gomat dhe shkaktojnë ndotje akustike duke u kthyer në shqetësim për qytetarët. Ata drejtues automjetesh që parkojnë mbi trotuare, duke penguar lëvizjen e këmbësorëve dhe të nënave me karroca me fëmijë, si dhe ata që parkojnë në rrugë, duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve.” – tha Proda.