Shorti për çështjen e Salianjit në Gjykatën e Lartë, Bardhi: Gjyqtarët mos të pranojnë të përdoren politikisht


Gazment Bardhi, deputeti i Partisë Demokratike, ka reaguar ashpër ndaj ndryshimit të trupës gjykuese të zgjedhur me short për çështjen e ish-deputetit Ervin Salianji në Gjykatën e Lartë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi e ka cilësuar këtë veprim si një akt të paprecedent, duke theksuar se ky është një shembull i qartë i abuzimit me drejtësinë.

Bardhi theksoi se pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e dënoi Salianjin për arsye politike, gjithë shpresa për drejtësi ishte te Gjykata e Lartë. 

‘Akti i paprecedent i ndryshimit të trupës gjykuese të zgjedhur me short në çështjen në Gjykatën e Lartë të kolegut Ervin Salianji, është shembulli më i shëmtuar sesi nuk mund të jetë kurrë drejtësia.

Pas një vendimi politik të Gjykatës së Apelit që burgosi Ervin Salianjin vetëm se është kundërshtar i regjimit të Edi Ramës, kushdo priste dhe pret drejtësi nga Gjykata e Lartë.

Por deformimi i rezultateve të shortit përzgjedhës dhe ndryshimi i trupës brenda 24 orëve, pa dhënë asnjë shpjegim, është sinjal që paralajmëron vazhdimin e padrejtësisë.

Duke dënuar me forcë manipulimin në rastin konkret, apeloj që gjyqtarët e ndershëm në Gjykatën e Lartë të mos pranojnë të përdoren politikisht për të mbajtur gjallë një padrejtësi dhe për t’u keqpërdorur për hakmarrje politike ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës’, shkruan ai.