Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Egjiptit dhe Jordanisë që të marrin pjesën më të madhe të popullsisë së Gazës, duke thënë se është koha për të “boshatisur” territorin, në komente që ka të ngjarë të zemërojnë palestinezët dhe arabët në gjithë rajonin.
“Do doja që Egjipti të merrte njerëz. Do doja që Jordani të merrte njerëz,” u tha presidenti amerikan gazetarëve në bordin e Air Force One.
“Bëhet fjalë për rreth një milion e gjysmë njerëz, dhe ne thjesht e spastrojmë gjithë këtë.”
Propozimi i Trump do përmbyste dekada të politikës amerikane që promovon zgjidhjen me dy shtete bazuar në krijimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit, në Gaza dhe pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Trump tha se ai ka diskutuar tashmë propozimin e tij për zhvendosjen e popullsisë së Gazës me Mbretin Abdullah të Jordanisë të shtunën dhe do e diskutonte atë edhe me presidentin e Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi.
Me marrëveshjen e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit që hyri në javën e dytë, Trump tha se Gaza ishte “kthyer në një vend të shkatërruar, pothuajse gjithçka është shkatërruar dhe njerëzit po vdesin atje, kështu që unë do parapëlqeja të bashkëpunoja me disa nga kombet arabe dhe të ndërtoja banesa në një vend tjetër ku ata mund të jetojnë në paqe”.
Trump tha se një transferim i popullsisë “mund të jetë i përkohshëm ose afatgjatë”. Popullsia e Gazës para luftës ishte 2.2 milionë.
Amani dhe Kajro që nga fillimi i luftës në tetor 2023 kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur çdo transferim të palestinezëve në territoret e tyre, duke thënë se kjo do përbënte “likuidimin e çështjes palestineze” në kurriz të fqinjëve të Izraelit.
Sisi ka thënë më parë se pranimi nga Egjipti i banorëve të Gazës do kërcënonte marrëveshjen e paqes të Egjiptit me Izraelin për shkak të rrezikut që disa prej tyre të rifillonin luftën kundër shtetit hebre nga brenda kufijve të Egjiptit.
H.A. Hellyer, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Progresin Amerikan në Uashington, tha se një transferim i tillë “mund të jetë thellësisht destabilizues veçanërisht për Jordaninë, e cila tashmë ka një popullsi të madhe palestineze dhe potencialisht për Egjiptin që zhvendosë palestinezët në Sinai, sepse mund të nënkuptojë konflikt mes militantëve palestinezë dhe Izraelit”.
Të dy vendet kanë ekonomi të dobëta dhe kanë nevojë për mbështetjen e SHBA-së, por udhëheqësit e tyre nuk do donin të shiheshin si bashkëpunëtorë në atë që opinioni publik arab do e konsideronte një “Nakba” ose katastrofë të dytë – eksodin në vendet fqinje të qindra mijëra refugjatëve palestinezë në vitin 1948 kur u themelua shteti i Izraelit.
“Kjo do zemëronte arabët sepse të dhënat historike janë shumë të qarta; sa herë që palestinezët janë detyruar të largohen nga një pjesë e Palestinës, ata nuk janë kthyer më aty”, tha Hellyer.
“Zbrazja e Gazës nga banorët e saj nuk do kishte asnjë mbështetje nga arabët, madje as ndërkombëtarisht, sepse është përkufizimi i spastrimit etnik”.
Një veprim i tillë, shtoi ai, do minonte perspektivat e një normalizimi të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, që ka qenë një fokus prej kohësh i përpjekjeve diplomatike të SHBA-së në rajon.
“Kjo do e bënte edhe më të pamundur që marrëveshja të ndodhte në të ardhmen e afërt,” tha Hellyer.
Propozimi i Trump për Gazën megjithatë kënaqi udhëheqësit e ekstremit të djathtë të Izraelit.
Ministri i Financave Bezalel Smotrich e përshkroi sugjerimin e Trump si një “ide të mrekullueshme”, duke shtuar se “vetëm të menduarit jashtë mënyrës tradicionale për zgjidhje të reja do sjellë paqen dhe sigurinë”.
Itamar Ben-Gvir, ish-ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, i cili dha dorëheqjen në shenjë proteste javën e kaluar për marrëveshjen e armëpushimit të Gazës, “lavdëroi” Trumpin për përhapjen e idesë.
Trump konfirmoi gjithashtu se Pentagoni kishte hequr kufizimin e dorëzimit të bombave 900 kilogramëshe te Izraeli, kufizime që u vendosën nga administrata Biden.
“Ne i zhbllokuam sot dhe ata do i kenë,” tha ai.
“Ata kanë paguar për to dhe i kanë pritur preh një kohe të gjatë.”
Marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit ishte tashmë nën tension, pavarësisht lirimit të suksesshëm të shtunën e katër ushtarëve femra izraelite nga robëria në Gaza dhe 200 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.
Zyrtarët izraelitë thanë gjatë fundjavës se Hamasi kishte shkelur marrëveshjen e ndërmjetësuar nga SHBA-ja pasi dështoi të lironte pengun e fundit grua që besohej se është ende gjallë, Arbel Yehud.
Ndërmjetësuesit po punonin në prapaskenë për të gjetur një zgjidhje për lirimin e Yehud, por zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se derisa çështja të “rregulllohet” nuk do lejojë qindra mijëra palestinezë të zhvendosur të kthehen në Gazën veriore, siç kërkohet në marrëveshje.
Armëpushimi i Izraelit me Libanin gjithashtu u rrezikua, me Izraelin që e bëri të qartë në fund të javës së kaluar se nuk do përmbushte afatin dy mujor për tërheqjen e forcave të tij nga Libani jugor të dielën.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani