Berisha thërret protestë më 8 shkurt: Më e fuqishmja që Shqipëria ka parë ndonjëherë


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thirrur një protestë kombëtare për më 8 shkurt, duke e cilësuar atë si “më të fuqishmen që Shqipëria ka parë ndonjëherë”.

Në një deklaratë për mediat, Berisha ftoi qytetarët të bashkohen në këtë tubim për të shprehur mospajtimin e plotë ndaj qeverisë dhe për të kundërshtuar, siç tha ai, “grushtin e kriminelëve që nuk njohin asnjë normë dhe bëjnë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë”.

Berisha theksoi se kjo protestë do të jetë një reagim ndaj asaj që ai e quajti “dëme të mëdha për shqiptarët dhe Shqipërinë”. Ai nuk dha detaje të sakta për orën dhe organizimin e protestës, por njoftoi se hollësitë do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

“PD, e cila prej kohësh ka shpallur mosbindjen civile si rrugë të vetme të qëndrimit ndaj kësaj qeverie më datën 8 shkurt fton protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria, ditën e shtunë për të treguar mospajtimin e plotë me këtë grusht kriminelesh që nuk njohin asnjë normë që bëjnë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë, që mendon sesa më shumë vjedh aq më shumë e votojnë.

Që mendon sesa më shumë poshtëron shqiptarët aq më shumë e votojnë, sesa më shumë frikëson shqiptarët aq më shumë e votojnë. Shqiptarët do ngrihen në këmbë në një protestë të fuqishme që Shqipëria nuk e ka parë kurrë më parë.

Ndaj ftoj qytetarët shqiptarë ditën e shtunë më 8 shkurt, e gjithë Shqipëria në Tiranë dhe e gjithë Tirana në sheshe dhe rrugë kundër këtij regjimi që i ka bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë dëmet më të mëdha në historinë e tyre.

Të gjitha hollësitë dhe ora e protestës do të njoftohen shumë shpejt. Por e shtuna është dita kur shqiptarët zbresin në Tiranë dhe Tirana zbret në sheshe dhe rrugë.”