Impiant fotovoltaik 54 MW në Poliçan, dorëzohet aplikimi në Ministrinw e Energjisw


Një tjetër aplikim për një impiant fotovoltaik është dorëzuar së fundmi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Projekti në fjalë, me kapacitet të instaluar 54 MW, nëse arrin të marrë të gjithë hallkat e miratimit parashikohet të zbatohet në një fshat që përfshihet nga Bashkia e Poliçanit.

Sipas kuadrit ligjor ky impiant nuk përfiton nga masat mbështetëse dhe do të tregtojë energjinë në tregun e lirë.

“Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë:

Shoqëria “X ONE” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 54 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt konçesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Zonën Kadastrale Nr. 3572, 3584 dhe 3619, Fshati Teman, Njësia Administrative Tërpan, Bashkia Poliçan, Qarku Berat” thuhet në njoftimin e MIE për këtë aplikim.

Gjatë viteve të fundit, pranë kësaj ministrie janë bërë me dhjetëra aplikime për impiante me kapacitet të konsiderueshëm të cilët ndodhen në hallka të ndryshme të zbatimit.

Ndërkohë janë finalizuar disa projekte të cilat kanë hyrë në prodhim, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e prodhimit të energjisë nga fotovoltaikët.

Aktualisht impianti me kapacitetin më të madh në prodhim është Karavastaja, që është në vitin e dytë të prodhimit.

Kriza e energjisë nxiti ndjeshëm interesin për investime në sektorin e energjisë, orientuar kryesisht nga fotovoltaikët teksa përveç ankandeve të qeverisë për këtë segment, interes ka pasur edhe për eolikët, edhe pse ende nuk ka asnjë projekt të përfunduar.

VINI RE: Ky material është pronësin intelektuale e Monitor