Rezerva valutore preku një rekord të ri historik gjatë muajit nëntor 2024.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera e mjeteve të rezervës arriti në 6 miliardë e 144 milionë euro, në rritje me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vlera e rezervës valutore vitin e kaluar u ndikua ndjeshëm nga blerjet rekord të valutës nga Banka e Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2024 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 542 milionë euro, vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit.
Pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 58% ishin blerje direkte me qëllim kontrollin e kursit të këmbimit, ndërsa pjesa e mbetur prej 42% ishin blerje të kryera nëpërmjet ankandeve, në kuadrin e objektivave të lidhura me rritjen e rezervës valutore.
Pasi inflacioni në fillim të këtij viti ra poshtë objektivit prej 3%, Banka Qendrore vendosi të ndërhyjë në tregun valutor, duke tërhequr një pjesë të ofertës së madhe të euros dhe duke rritur ofertën monetare të lekut.
Blerjet direkte të Bankës së Shqipërisë kanë vazhduar deri në ditët e fundit të vitit 2024.
Pavarësisht blerjeve të mëdha të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit mes euros dhe lekut ka vijuar rënien edhe vitit të kaluar, duke prekur rekorde të reja historike, pranë nivelit të 98 lekëve.
Banka e Shqipërisë ka planifikuar një rritje të mëtejshme të blerjeve të valutës në vitin 2025, të paktën në pjesën që lidhet me ankandet për të rritur rezervën valutore.
Ajo synon të blejë përmes ankandeve 270-350 milionë euro, ose 20 milionë euro më shumë krahasuar me objektivin e vitit 2024, si në intervalin e poshtëm, ashtu edhe në atë të sipërm.
Gjatë vitit 2025, janë programuar gjithsej 22 ankande për blerje valute, që do të zhvillohen mes muajve shkurt dhe dhjetor. Përqendrimi më i lartë i blerjeve parashikohet në sezonin veror, kur edhe oferta valutore është më e madhe.
Megjithatë, në fund të vitit të kaluar misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) këshillonte Bankën e Shqipërisë për vlerësime të kujdesshme lidhur ndërhyrjet në tregun valutor. Sipas FMN-së, ndërhyrje të tilla duhet të marrin në konsideratë kostot dhe përfitimet e akumulimit të mëtejshëm të rezervës valutore, duke përfshirë rreziqet për bilancin e bankës qendrore, si dhe implikimet për transmetimin e politikës monetare dhe zhvillimin e tregut financiar.
Vlera e rezervës valutore sidoqoftë nuk përcaktohet vetëm nga flukset e blerjes, por edhe nga lëvizjet e tregjeve financiare dhe vlera e instrumenteve të investimit të rezervës, siç mund të jenë titujt financiarë apo ari monetar.
Në fund të vitit të muajit nëntor 2024, titujt e borxhit përbënin 70% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin gati 21% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të euroizimit të sektorit financiar në vend. Duke qenë një ekonomi me pozicion tregtar negativ, sidomos në mallra, mungesa e valutës në momente të veçanta mund të krijojë probleme për aktivitetin ekonomik në vend. / E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësin intelektuale e Monitor