Studentët serbë të universitetit kanë organizuar një bllokadë 24-orëshe në Beograd në protestat disajavore që kanë goditur vendin pas shembjes së një tende në një stacion treni në nëntor ku u vranë 15 persona.
Mijëra qytetarë iu bashkuan bllokadës që pason protestat disajavore për aksidentin vdekjeprurës në Novi Sad, për të cilin ata fajësojnë korrupsionin e shfrenuar të qeverisë.
Studentët grevistë të universitetit nisën një bllokadë 24-orëshe në një kryqëzim kyç të trafikut në Beograd, duke rritur presionin ndaj autoriteteve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një konferencë të përbashkët për shtyp të hënën me kryeministrin Millosh Vuçeviç dhe kryetaren e parlamentit Ana Brnabiç, kërkoi dialog me studentët, duke thënë se “duhet të ulim tensionet dhe të fillojmë të flasim me njëri-tjetrin”.
Studentët në të kaluarën kanë kundërshtuar të takohen me Vuçiçin, duke thënë se presidenti nuk ka të drejtë të bisedojë me ta Sipas Kushtetutës.
“Çdo lloj krize paraqet problem serioz për ekonominë tonë”, tha Vuçiç.
“Një gjendje e tillë në shoqëri nuk është e mirë për askënd.”
Vuçiç është përballur me akuza për frenim të lirive demokratike, pavarësisht se zyrtarisht kërkon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai ka akuzuar studentët se punojnë për fuqi të huaja të paspecifikuara për të rrëzuar qeverinë.
Vuçiç ka thënë se është i gatshëm të falë ata që duan të shmangin ndjekjen penale.
Duke komentuar kërkesat, të cilat përfshijnë heqjen e akuzave ndaj të arrestuarve dhe të ndaluarve gjatë protestave, Vuçiç tha: “Ne kemi pritur që prokuroria të heqë disa nga akuzat penale, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se ata kanë kryer krime. Nëse nuk ka zgjidhje tjetër, jam gati të nënshkruaj falje për ata që e duan, këtë do ta bëj më së voni deri të mërkurën.”
Në një fjalim publik nga Pallati i Serbisë, presidenti tha se prokuroritë publike kanë nisur procedurë penale kundër 37 personave për sulme ndaj studentëve dhe profesorëve, duke theksuar se kjo plotëson kërkesën e dytë të studentëve.
Përveç kësaj, Vuçiç tha se të gjitha dokumentet në lidhje me rindërtimin e stacionit kryesor të trenit në Novi Sad janë publikuar.
Policia rrugore siguroi të hënën bllokadën e studentëve për të ndihmuar në shmangien e ndonjë incidenti të ngjashëm. Studentët protestues ngritën tenda në vendin e protestës, i cili është një arterie kyçe për udhëtarët e qytetit dhe drejt autostradës kryesore veri-jug.
Disa studentë luanin volejboll, të tjerë u ulën në batanije në trotuar ose shëtisnin. Studentët mbajtën gjithashtu një heshtje 15-minutëshe përkujtimore në orën 11:52, pikërisht në të njëjtën kohë kur tenda në një stacion treni në Novi Sad u rrëzua më 1 nëntor.
Shumë në Serbi besojnë se tenda e madhe e betonit u rrëzua për shkak të punës së dobët të rindërtimit që erdhi si rezultat i korrupsionit.
Prokurorët e Serbisë kanë ngritur akuza kundër 13 personave, duke përfshirë një ministër të qeverisë dhe disa zyrtarë shtetërorë. Por ish-ministri i Ndërtimit Goran Vesiç është liruar nga paraburgimi, duke nxitur dyshimet mbi pavarësinë e hetimit.
Stacioni kryesor hekurudhor në Novi Sad u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të infrastrukturës me kompanitë shtetërore kineze.