Trump: DeepSeek, një ‘thirrje zgjimi’ për kompanitë teknologjike amerikane


Presidenti amerikan Donald Trump ka cilësuar ngritjen e kompanisë kineze “DeepSeek” si një “thirrje zgjimi” për industrinë teknologjike të SHBA-së, pasi modeli i saj më i ri i inteligjencës artificiale (AI), R1, ka shkaktuar tronditje të mëdha në bursën e Wall Street. 

Aksionet e kompanive kryesore teknologjike, si Nvidia, kanë pësuar rënie të ndjeshme, me humbje të vlerës tregtare prej gati 600 miliardë dollarësh (482 miliardë paundësh). 

Ajo që ka tronditur industrinë është pretendimi i DeepSeek se modeli R1 është zhvilluar me një kosto shumë më të ulët sesa konkurrentët – duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e dominimit amerikan në AI dhe mbi investimet e mëdha të planifikuara nga firmat amerikane. 

Brenda një jave nga lançimi, DeepSeek është bërë aplikacioni më i shkarkuar falas në SHBA. 

Gjatë një deklarate në bordin e Air Force One, Presidenti Trump tha se zhvillimet e fundit në industrinë e AI-së në Kinë mund të jenë “pozitive” për SHBA-në, përcjell BBC.

“Nëse mund ta realizoni më lirë dhe të arrini të njëjtin rezultat, mendoj se është një gjë e mirë për ne,” u shpreh ai. 

Megjithatë, Trump shtoi se nuk ishte i shqetësuar për këtë arritje, duke theksuar se SHBA-ja do të mbetet një lojtar dominues në këtë fushë. 

Kompania **DeepSeek** ka ngritur shqetësime mbi sigurinë kibernetike në disa vende. Ministri australian i shkencës, Ed Husic, ka bërë thirrje për kujdes, duke thënë për transmetuesin kombëtar ABC: 

Ka shumë pyetje që duhet të marrin përgjigje me kalimin e kohës lidhur me cilësinë, preferencat e konsumatorëve dhe menaxhimin e të dhënave dhe privatësisë.” 

Modeli DeepSeek-V3, i përdorur nga kompania, thuhet se është trajnuar me një kosto prej rreth 6 milionë dollarësh (4.2 milionë paundësh) – shumë më pak sesa miliardat që shpenzojnë rivalët. Megjithatë, ky pretendim është kundërshtuar nga disa ekspertë në fushën e AI-së. 

Në kushtet e kufizimeve nga SHBA-ja për shitjen e teknologjive të avancuara për çipat AI në Kinë, zhvilluesit kinezë të AI-së kanë ndarë përvojat dhe kanë eksperimentuar me qasje të reja.

Kjo ka rezultuar në modele AI që kërkojnë më pak fuqi kompjuterike dhe që kushtojnë shumë më pak sesa mendohej më parë, duke tronditur industrinë globale. 

Pas tronditjeve në tregjet amerikane të hënën, indeksi FTSE 100 i kompanive më të mëdha britanike tregoi qëndrueshmëri, duke u rritur me 0.46% në fillim të tregtimit të së martës.

Nga ana tjetër, aksionet e firmave japoneze të lidhura me AI, si Advantest, Softbank dhe Tokyo Electron, pësuan rënie të fortë, duke ndikuar në uljen me 1.4% të indeksit Nikkei 225. 

DeepSeek u themelua në vitin 2023 nga Liang Wenfeng, një inxhinier elektronik nga Hangzhou, Kinë. Wenfeng, 40 vjeç, është gjithashtu themeluesi i fondit mbrojtës që mbështeti kompaninë. 

Në një intervistë për China Academy në korrik 2024, Liang tha: 

“Nuk e prisnim që çmimi të bëhej një çështje kaq delikate. Ne thjesht po ndiqnim ritmin tonë, duke llogaritur kostot dhe duke përcaktuar çmimet përkatëse.”