Në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë vazhdojnë homazhet për kryepeshkopin Anastas Janullatos, që u nda nga jeta mëngjesin e së shtunës në Athinë. Qindra besimtarë i japin lamtumirën e fundit gjatë natës dhe ditës së sotme, ndërsa ceremonia mortore do të mbahet nesër në orën 11:00 pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore.
Kreu i Komunitetit Bektashi, Baba Mondi, i ka bërë homazhe kryepeshkopit të ndjerë, duke vlerësuar veprën e tij të jashtëzakonshme për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Ai theksoi se Janullatosi ka bashkëpunuar me të gjitha komunitetet fetare, duke lënë një trashëgimi të madhe për kishën dhe shqiptarët.
Fjala e Baba Mondit pas homazheve:
“Fortlumturia është personalitet i Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili ka punuar me vetëmohim për ta ngritur këtë kishë nga varri. Ka qenë njeri që ka bashkëpunuar me të gjitha komunitetet fetare dhe sidomos me mua personalisht dhe më vjen keq për çdo njeri që largohet nga kjo botë, por ai po largohet me një vepër që i ka lënë pas Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe shqiptarëve. Ngushëllime Kishës Ortodokse, Zoti e pstë në parajsat e veta. Qofshi dritë dhe Zoti na bekoftë të gjithëve, amin!”.