Basha pret Ali Ahmetin: Dëgjova me vëmendje shqetësimet e tij


Kreu i Demoratëve Euroatlantikë Basha ka pritur në zyrën e tij kreun e BDI-së Ali Ahmeti.

Basha shkruan se ika dëgjuar me vëmendje shqetësimet e Ahmetit mbi rreziqet që u kanosen të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe përpjekjeve të qeverisë atje për të kthyer vendin në satelit të interesave serbo-ruse në Ballkan.

“Kisha kënaqësinë të prisja Kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin, një personalitet me kontribut të shquar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe me një rol kyç në procesin e anëtarësimit të vendit në NATO dhe avancimin drejt integrimit europian. Diskutuam për situatën aktuale në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe rajon. Duke u ndalur tek zhvillimet gjeopolitike, lufta në Ukrainë dhe kërcënimet ndaj sigurisë së Europës, administratën e re në SHBA dhe një rikonfigurim të lidershipit në BE vende të ndryshme të  unionit,  theksuam domosdoshmërinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të faktorit shqiptar për mbrojtjen dhe avancimin e interesave kombëtare në rajon. Dëgjova me vëmendje shqetësimet e zotit Ahmeti lidhur me rreziqet që i kanosen të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe përpjekjet për ta shndërruar vendin në një satelit të interesave serbo-ruse përmes agjentëve të tyre, të cilët aktualisht mbajnë pozita të larta në kabinetin qeveritar.” – shkruan Basha.

Deputeti i parlamentit shton se çdo cenim i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut  është kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen e stabilitetin në rajon.

Basha bën thirrje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si e vetmja garanci për bashkëjetesë ndëretnike e integrimin në BE.

“Çdo cënim i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit mbetet e vetmja garanci për bashkëjetesë ndëretnike dhe rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.Të drejtat e shqiptarëve janë fituar me sakrifica të mëdha dhe gjaku i derdhur për to nuk mund të nëpërkëmbet nga askush. Popujt e rajonit duhet të ndërtojnë të ardhmen mbi baza të bashkëjetesës dhe respektit reciprok, duke shmangur kthimin pas në konflikte dhe ndasitë e të shkuarës.” – mbyll shënimin Basha.