Kreu i PD Sali Berisha ka deklaruar se në një qeverisje të drejtuar nga opozita, mesatarja si kriter për pranimet në universitete do të hiqet, ndërsa tarifat e studentëve do të përgjysmohen, ose në disa raste, do të reduktohen deri në një të tretën e vlerës aktuale.
“Pranimet në universitete do të jenë transparente, por nuk do të udhëhiqen më nga mesatarja. Tarifat do të përgjysmohen, minimumi, sepse studentët shqiptarë nuk mund të paguajnë më shumë se ata në Gjermani, Austri apo Francë, ndërkohë që familjet e tyre kanë të ardhura shumë herë më të ulëta,” deklaroi Berisha.
Berisha premtoi gjithashtu rritje të ndjeshme të pagave për pedagogët dhe mësuesit.
“Një qendrim tjetër ndaj studentëve. Pranimet në universitete do jenë tjera, nuk është më mesatarja ajo që udhëheq, jo, do të hiqet.
Sigurisht që, pranimet do të jenë transparente. Tarifat do të përgjysmohen, minimumi. Unë e kuptoj dhe mirëkuptoj botën akademike, e cila për mungesë buxheti shikon te tarifat e studentëve një burim shumë të rëndësishëm të të ardhurave. Por garantoj se, buxheti do të dyfishohet për arsimin, ndërkohë tarifat, nuk mund të paguajë studenti në Shqipëri tarifë dy-tri herë më të lartë se studenti në Austri, apo se studenti në Gjermani, apo se studenti në Francë. Këto janë gjëra absurde, në një kohë kur prindërit te atyre studentëve kanë të ardhurat 5-6 herë më të mëdha se prindërit e këtyre këtu.
Merr fund kjo! Thashë edhe njëherë, minimumi do të përgjysmohen, por edhe mund të zbresin në 1/3 sipas rastit”, tha ai.