Guvernatori i Bankës Qendrore të Çekisë Ales Michl tha se do propozonte një plan për të përfshirë kriptomonedhën Bitcoin në rezervat zyrtare të vendit, raportoi Financial Times, lëvizja e parë e tillë midis institucioneve monetare perëndimore që kanë qenë kryesisht skeptike për asetet e kriptove.
Bordi i Bankës Kombëtare Çeke pritet të diskutojë propozimin e Michl për të blerë Bitcoin, i cili potencialisht mund të përfaqësojë miliarda dollarë alokim rezervë, citoi FT të thoshte guvernatori në një intervistë të botuar të mërkurën.
Nëse miratohet nga paneli i politikave prej shtatë anëtarësh, plani do jetë pjesë e një strategjie më të gjerë për të diversifikuar rezervat, e cila përfshin gjithashtu rritjen e zotërimeve të arit dhe stoqeve. FT raportoi se Michl tha se Banka Qendrore përfundimisht mund të investonte deri në 5% të rezervave të saj valutore në Bitcoin.
“Për diversifikimin e aseteve tona, Bitcoin duket i mirë”, tha Michl në intervistë.
Komentet janë në kontrast me deklaratat e guvernatorit nga fillimi i këtij viti, kur ai i tha një kanali televiziv lokal se kishte menduar të blinte disa Bitcoin për rezervat e Bankës Qendrore, por nuk po konsideronte një investim masiv në monedhën kripto.
Rezervat e vendit të Bashkimit Evropian arritën një total prej 146 miliardë dollarësh në fund të dhjetorit, një nga më të mëdhatë në botë në raport me madhësinë e ekonomisë.
Michl pranoi “paqëndrueshmërinë e skajshme ” të Bitcoin, por theksoi faktin se disa nga firmat kryesore të investimeve si BlackRock kanë nisur fonde të tregtuara në këmbim që synojnë monedhën kripto, sipas FT.