Gjermania në krizë të thellë ekonomike, raporti nga grupi industrial BDI


Ekonomia gjermane është në krizë të thellë, me Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) që pritet të tkurret me 0.1% këtë vit, tha grupi industrial BDI të martën, duke vijuar rrugën e tre viteve të fundit me rënie për herë të parë që nga ribashkimi i vendit.

Në të njëjtën kohë, zona euro do rritet me 1.1%, ndërsa ekonomia globale me 3.2%, tha BDI, duke treguar se Gjermania do mbetet një nga ekonomitë më të dobëta të bashkësisë monetare.

“Gjendja është shumë serioze: Rritja në industri, në mënyrë të veçantë, ka pësuar një ndërprerje strukturore,” tha presidenti i BDI-së, Peter Leibinger, në Berlin.

Lindja dhe Perëndimi i Gjermanisë u ribashkuan si një shtet i vetëm sovran në vitet 1990.

Konkurrenca në rritje nga jashtë, kostot e larta të energjisë, normat ende të larta të interesit dhe perspektivat e pasigurta ekonomike kanë ndikuar rëndë në ekonominë gjermane, e cila u tkurr në vitin 2024 për dy vite rresht, shkruan Reuters.

Mosmarrëveshjet mbi mënyrën për të rilindur ekonominë më të madhe të Evropës kontribuan në rënien e koalicionit qeverisës, me gjendjen e vështirë ekonomike të pasqyruar në industrinë e njohur të automjeteve, ku Volkswagen po bën shkurtime të mëdha të kostove për të mbetur konkurrues.

Kriza ekonomike është më shumë se thjesht një pasojë e pandemisë dhe pushtimit të Ukrainës nga Rusia, tha Leibinger.

Problemet janë të brendshme dhe rezultat i një dobësie strukturore që nga viti 2018, të cilën qeveritë nuk kanë arritur të adresojnë, tha Leibinger.

“Investimet publike në infrastrukturë moderne, në transformimin dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë sonë, janë urgjentisht të nevojshme,” tha Leibinger, duke kërkuar gjithashtu një pakësim të burokracisë, çmime më të ulëta të energjisë dhe një strategji të qartë për forcimin e inovacionit dhe kërkimit në Gjermani.

Duke parë drejt Brukselit, Leibinger tha se është e rëndësishme që Gjermania të marrë përsëri një rol më të sigurt drejtues dhe që Evropa të bëhet më e pavarur strategjikisht.

Presidenti i BDI-së u referua gjithashtu kthimit të presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe kërcënimeve të tij tarifore, të cilat mund të bëjnë që ekonomia gjermane, e orientuar nga eksportet, të tkurret me gati 0.5% në vitin 2025 në vend të rënies së parashikuar prej 0.1%.

“Gjëja më e rëndësishme do jetë të krijojmë një marrëdhënie transaksionale dhe të kemi kompetenca strategjikisht të rëndësishme që partnerët tanë mund t’i gjejnë vetëm tek ne,” tha Leibinger.