Situata në qytetin e Durrësit është mjaft problematike për shkak të përmbytjeve, ku mbi 200 shtëpi private ndodhen nën prezencën e ujit. Zonat më të prekura përfshijnë ish-Kënetën, Plazhin, Spitallë, dhe njësitë administrative të Sukthit dhe Katundit të Ri.
Deri tani, 10 familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa procesi i evakuimit vijon për familje të tjera të prekura. Autoritetet lokale janë angazhuar në terren për të përmirësuar situatën dhe për të larguar ujin nga banesat. Qendra shëndetësore në Sukth është gjithashtu përmbytur.
Zona më e prekur mbetet ajo e ish-Kënetës, ku përmbytjet janë më të thella dhe ndërhyrja e autoriteteve po has vështirësi. Për këtë arsye, ka nisur evakuimi i banorëve nga shtëpitë e përmbytura në këtë zonë dhe në zonën e konvaleshencës.
Megjithatë, kjo situatë nuk është as e papritur dhe as e panjohur për qytetarët e Durrësit dhe të zonave të tjera që përmbyten çdo vit. Prej më shumë se 12 vitesh, qeveria nuk ka marrë asnjë masë konkrete për të zgjidhur problemin e përmbytjeve, duke lënë rrjetin e kanalizimeve në një gjendje të mjerueshme. Çdo reshje e fuqishme e nxjerr zbuluar mungesën e investimeve dhe dështimin e plotë të institucioneve për të menaxhuar emergjencat natyrore.
Ndërkohë, fondet publike shpenzohen për projekte të debatueshme, ndërsa infrastrukturat jetike mbeten të rrënuara. Si pasojë, mijëra familje e paguajnë këtë neglizhencë me shtëpitë dhe pasuritë e tyre sa herë që bie shi.
Ndërsa institucionet flasin për “masa emergjente”, realiteti tregon se çdo vit përmbytjet përkeqësohen, duke dëshmuar se mungesa e përgjegjësisë dhe keqmenaxhimi i situatës janë bërë një normë e pandryshueshme.