Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka mbrojtur të drejtën për të kërkuar azil në Gjermani, duke refuzuar thirrjet për një rishikim rrënjësor të ligjeve të emigracionit.
“E drejta për azil është një pjesë thelbësore e sistemit tonë ligjor dhe vlerave tona. Nuk duhet ta braktisim atë sot,”deklaroi Scholz në Bundestag, përcjell The Guardian.
Duke iu referuar sulmit në Aschaffenburg javën e kaluar, ai e cilësoi atë si “një krim të tmerrshëm dhe monstruoz”, duke pranuar se raste të përsëritura, ku autorët kanë abuzuar me mbrojtjen e ofruar nga Gjermania, kanë krijuar pasiguri te qytetarët.
“Ishte dikush që nuk duhej të ishte më këtu, ose të paktën nuk duhej të ishte i lirë,” shtoi ai.
Debati mbi migracionin dhe kontrollet kufitare ka qenë temë e nxehtë në Gjermani, veçanërisht pas thirrjeve të opozitës konservatore për një reformë të rreptë të ligjeve të azilit pas ngjarjeve të fundit.