Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar dorëzimin e një ligji të ri në kuadër të “desorosizimit”, i cili sanksionon se Republika e Shqipërisë njeh vetëm dy gjini, mashkull dhe femër.
Berisha gjithashtu njoftoi një tjetër ligj që parashikon sanksione ndaj përdorimit të termave si “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, duke e konsideruar këtë si një tentativë për të falsifikuar historinë dhe për të shtrirë kulturën uoke në sistemin arsimor dhe shoqëror.
“Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Në mënyrë që t’i japim fund çdo lloj tentative dhe përpjekje.
Ligji tjetër me dënim ai që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. Do ketë sanksione.
Këto janë vetëm fillimet, këta e kanë shtrirë në shkolla, e kanë shtrirë në falsifikimin e historisë, uoke është bërë një rrymë e veçantë jo vetëm në media, por është degëzuar në shumë drejtime.
Lufta me kulturën uoke do jetë një betejë pa kompromis e jona.
Është beteja për të vërtetën. Ne nuk kërkojmë asnjë deformim. Gjërat siç janë.”