Tre pengje izraelite do të lirohen gjatë ditës së nesërme nga grupet palestineze në Gaza në këmbim të 110 të burgosurve në burgjet izraelite në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve mes Izraelit dhe Hamasit, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i krahut të armatosur Brigadave al-Qassem të Hamasit, Abu Obaida, tha se tre izraelitë, Arbel Yehud, Agam Berger dhe Gadi Moshe Mozes, do të lirohen gjatë ditës së nesërme.
Zyra e Mediave për të Burgosurit e drejtuar nga Hamasi tha se 110 të burgosur palestinezë do të lirohen gjithashtu nesër nga Izraeli.
Të burgosurit palestinezë që do të lirohen përfshijnë 32 të burgosur që vuajnë dënimin e përjetshëm, 48 me dënime të gjata dhe 30 të mitur.
Më herët, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, konfirmoi se pranoi një listë të pengjeve të vendosur për t’u liruar nga Gaza nesër.
Sipas Radios së Ushtrisë së Izraelit, pesë shtetas tajlandez dhe tre izraelitë, përfshirë Yehud-in, do të lirohen nesër.
Izraeli ka përdorur rastin e Yehud-it për të justifikuar vonesat në lejimin e kthimit të palestinezëve të zhvendosur në zonat e tyre në Gazën veriore nga e shtuna deri të hënën në mëngjes.
Faza e parë 6-javore e marrëveshjes së armëpushimit hyri në fuqi më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 47.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur më shumë se 111 mijë të tjerë.
Shtatë pengje izraelite, përfshirë katër ushtarë, janë liruar deri më tani në këmbim të 290 të burgosurve palestinezë që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.
Sulmet izraelite në Gaza kanë lënë më shumë se 11 mijë njerëz të zhdukur, me një shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.