Administrata Trump tha të martën se po ofron stimuj financiarë për 2 milion punonjës federalë civilë me kohë të plotë që të largohen, si pjesë e planeve për të zvogëluar ndjeshëm madhësinë e qeverisë amerikane.
Programi i “dorëheqjes së shtyrë” do t’u lejonte punonjësve federalë të mbeten në listën e pagave deri më 30 shtator, por pa pasur nevojë të punojnë fizikisht dhe me mundësinë që detyrat e tyre të pakësohen ose eliminohen, sipas një emaili të dërguar punonjësve federalë dhe të parë nga Reuters.
Emaili u jep punonjësve federalë kohë deri më 6 shkurt për të vendosur nëse do marrin pjesë në program. Ai i instrukton punonjësit e interesuar t’i përgjigjen emailit nga një llogari qeveritare dhe të shkruajnë fjalën “resign” (dorëhiqem). Oferta mbulon punonjësit civilë, përveç atyre në pozicione të lidhura me emigracionin dhe sigurinë kombëtare, si dhe njerëzit që punojnë për Shërbimin Postar të SHBA.
Ky veprim i paparë ndodh ndërsa presidenti republikane Trump ka përdorur ditët e para të mandatit të tij për të zvogëluar, pastruar dhe rimodeluar qeverinë federale amerikane për t’iu përshtatur prioriteteve të tij politike.
Në SHBA ka rreth 2.3 milion punonjës civilë, duke përjashtuar Shërbimin Postar. Agjencitë e lidhura me sigurinë përbëjnë pjesën më të madhe të fuqisë punëtore federale, por qindra mijëra njerëz punojnë në të gjithë vendin në detyra si kujdesi shëndetësor për veteranët, inspektimi i bujqësisë dhe pagesa e faturave të qeverisë, ndër të tjera.
Emaili tha se administrata pret të shohë një “fuqi punëtore më efikase dhe fleksibël.”
Ndërsa ushtria dhe disa agjenci ka të ngjarë të rrisin stafin e tyre, shumica e agjencive do zvogëlohen përmes ristrukturimeve dhe pushimeve nga puna, tha emaili, dhe paralajmëroi se punonjësve federalë nuk mund t’u garantohej qëndrueshmëria e punëve të tyre.
“Në këtë kohë, nuk mund t’ju japim siguri të plotë në lidhje me sigurinë e pozicionit ose agjencisë tuaj, por nëse pozicioni juaj eliminohet, ju do të trajtoheni me dinjitet,” tha emaili.
“Reforma e fuqisë punëtore federale do të jetë e rëndësishme.”