Ditën e sotme, Kryepeshkopit Anastas Janullatos iu dha lamtumira e fundit gjatë një ceremonie mortore që u mbajt në orën 11:00, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore. Pas dy ditëve homazhesh, trupi i tij u vendos për t’u prehur përjetësisht ne Kriptën e Katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, ku do të jetë i vizitueshëm për besimtarët.
Kryepeshkopi Anastas ndërroi jetë më 25 janar 2025 në Athinë. Më datë 28 janar, mbërriti në Tiranë trupi i pajetë i kryepeshkopit.
Ceremoninë e lamtumirës e drejtoi Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, ku morën pjesë liderë të Kishave Ortodokse nga mbarë bota dhe krerë të lartë shtetërorë. Pjesëmarrës ishin gjithashtu Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i jashtëm grek Giorgos Gerapetritis, presidenti shqiptar Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, dhe lideri i PASOK, si dhe përfaqësues të opozitës greke dhe eurodeputeti i zgjedhur Fredi Beleri.
Po ashtu, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, mori pjesë në ceremoninë e lamtumirës për Kryepeshkopin Anastas, një figurë e rëndësishme në jetën shpirtërore dhe shoqërore të Shqipërisë.
Mbikëqyrësi i Fronit Kryepeshkopal , Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani në fjalën e tij të mbajtur gjatë nderimit të Kryepshkopit Anastas, theksoi se vepra e Kryepshkopit Anastas është një testament i përjetshëm i dashurisë dhe dedikimit për Kishën dhe shoqërinë.
Ai theksoi se veprat e Kryepeshkopit Anastas janë një mision shpirtëror që ka ndikuar thellësisht në jetën e besimtarëve dhe të gjithë popullit shqiptar. Mitropoliti i Korçë, Joani tha se vepra e Kryepeshkopit Anastas në rindërtimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri është madhështore dhe unike.
“Të lumtur janë që tani ata të vdekur, që vdesin në Zotin. Po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; edhe veprat e tyre i ndjekin pas, bashkë me ata (Zb. 14:13).
Këto fjalë të Perëndisë na mësojnë se veprat tona nuk harrohen me mbarimin e jetës tokësore. Ato kryhen brenda një periudhe të kufizuar kohe, por fitojnë një dimension të përjetshëm, duke na ndjekur në jetën e përtejme.
Ka momente kur këto fjalë të Perëndisë shfaqen më qartë dhe bëhen më të kuptueshme. Sot, ndodhemi përballë një momenti të tillë. Vepra e Kryepiskopit Anastas në rindërtimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri është madhështore dhe unike.”
Kryeministri grek tha se kryepeshkopit Anastas rigjallëroi Orthodhoksinë në Shqipëri dhe pas do të lërë një boshllëk të pazëvendësueshëm
Në fjalën e tij, Mitsotakis vlerësoi guximin dhe shpresën si dy busullat që udhëhoqën Kryepeshkopin Anastas gjatë gjithë jetës së tij, si misionar dhe mbështetës i heshtur i studentëve të Greqisë gjatë diktaturës, si dhe si një nismëtar i palodhur i ortodoksisë në Shqipëri.
Kryeministri theksoi se Anastas ishte një figurë e pazëvendësueshme, një themelues madhor i ortodoksisë në Shqipëri dhe një personalitet për të cilin të gjithë duhet të përulen me nderim.
“Përulemi me nderim para madhështisë së këtij personaliteti të veçantë. Sepse Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë ishte njëherazi një intelektual i besimit dhe një shërbëtor i përulur i të afërmit të tij.
Me fjalë të tjera, një shembull i ndritur i urtësisë, por edhe i veprimit. Largimi i tij nga jeta lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm.
Jo vetëm në vendin ku shërbeu dhe në diasporën tonë, por kudo ku rreh zemra e Helenizmit, për të cilin ai ishte, për dekada me radhë, një dritë udhërrëfyese.
Një dritë dashurie dhe sakrifice, fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje dhe efikasiteti. Një dritë e Orthodhoksisë dhe e jetës së krishterë.”
Mbesa Roksana Janullatos gjithashtu i dha lamtumirën Kryepeshkopit Anastas. Në fjalimin e saj gjatë ceremonisë mortore tha se xhaxhai i saj e deshi shumë popullin me të cilin jetoi për më shumë se 30 vjet dhe se Shqipëria u bë atdheu i tij i dytë.
“Lejomëni t’iu drejtohem vëllezërve të Shqipërisë. Vëllezërit e mi, ne emër të familjes sonë do t’iu dëshiroja t’iu falënderoj për dashurinë që keni treguar për xhananë tonë gjatë këtyre viteve.
Për ne, ai është xhaxhai ynë që gjithmonë na ka mbështetur nga afër dhe nga larg përmes lutjes së tij. Ju e dini se sa shumë e deshi popullin me të cilin jetoi për më shumë se 30 vjet, popullin e Shqipërisë të vendit që u bë atdheu i tij i dytë.
Vëllezërit e mi, ne të krishterët ortodoksë e dimë se për është dashuria dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në perëndi dhe perëndia qëndron në të.”
Kryeministri Edi Rama theksoi se pasuesi i tij do të jetë një shqiptar, duke i referuar deklaratës së Kryepeshkopit për mediat greke.
Rama kritikoi ata që e paragjykonin Anastas për origjinën e tij, duke theksuar se gjatë 33 viteve të drejtimit të Kishës Ortodokse, ai e ktheu atë në një institucion të lirë dhe kontribuoi në pajtimin dhe paqen në Shqipëri.
“Plot 33 vite në viset e Shqipërisë nga ‘92 deri më sot, janë një shifër tejet domethënëse. Nga këto 33 vite, 30 shërbyen për të punuar si zdrukthëtar këmbëngulës në ringritjen e ngrehinës së Kishës Autoqefale të Shqipërisë.
Jeta e Anastas Janullatos ishte një jetë e përmbushur, përderisa përmes saj u realizuar ëndrra e një fëmijë. Kur isha fëmijë, kujtonte Kryepeshkopi, nuk më mjaftonte ti jepja diçka Perëndisë, por duhej ti jepesha plotësisht atij, doja që qenia ime të jetonte me Krishtin.
Vepra e tij në krye të kishës janë janë admiruar bekuar, qortuar e deri edhe janë anatemuar. Pasionet më kontradiktore janë shfaqur ne mexhlisin tonë kur ka ardhur puna te veprimtaria publike e njeriut qe deshi apo deshi mori në supe zjarret e konfliktit të fqinjësisë sonë.
Por edhe kjo më së paku dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi e rrallë në një kohë e një botë ku gjithnjë e më të shumtë janë ata që lëkunden nga fryn era.”
Në fjalën e tij nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, Tërëshenjtëria e tij, Bartolomeu deklaroi se kryepeshkopi Anastas ishte shërbëtori i mrekullisë së ringjalljes së Kishës Ortodokse në Shqipëri, pas natës së errët dhe të zymtë të ateizmit të organizuar dhe pas persekutimit të madh që regjimi ateist gjatë diktaturës i bëri të krishterëve.
“Kisha e Shqipërisë, që nga shpallja e saj Autoqefale ka përjetuar një histori të trazuar, kryesisht për arsye politike, tragjedia më e madhe ishte kur regjimi vendosi shfarosjen e fesë, duke e kthyer kishën në një kishë të përndjekur dhe duke përndjekur priftërinjtë.
Në 1991, Patriarkana Ekumenike, duke përmbushur detyrimin për t’u kujdesur për të gjitha kishat në Shqipëri, e thirri Anastasin dhe e dërgoi në Shqipëri, për të sjellë mesazhin e ringjalljes te populli i vuajtur ortodoks shqiptar. Pas një viti, u vendos Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë.
Shërbesa e tij baritore nuk ishte pa fortuna, udhëhoqi kishën përmes sfidave të mëdha, megjithatë zotëronte hirin për të zgjedhur bashkëpunëtorët e duhur, për të hapur shtigje aty ku dukej se çdo rrugë ishte e mbyllur. Kishat, manastiret, spitalet e shumë të tjera janë disa nga arritjet e tij. Ishte i duruar, por i patundur, aty ku interesi i Kishës e kërkonte. Ai diti të ndërtonte Kishën në përputhje me vullnetin hyjnor. “