Moti i keq në vend, banesa të përmbytura, evakuohen disa familje, sipërfaqe të mëdha toke nën ujë


Durrësi është një nga qytetet më të prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet intensive të shiut, duke krijuar probleme të mëdha për banorët dhe infrastrukturën.

Sipas bilancit të deritanishëm, mbi 200 shtëpi private janë përmbytur, dhe situata më problematike është regjistruar në zonat e ish-Kënetës, Plazhit, Spitalle, si dhe në njësitë administrative të Sukthit dhe Katundit të Ri.

Qendra shëndetësore në Sukth është gjithashtu e përmbytur. Megjithatë, në qytet situata ka filluar të normalizohet dhe uji është tërhequr nga rrugët.

Edhe qarku i Kukësit është përfshirë gjatë natës nga reshje shiu me intensitet të lartë. Aktualisht nuk ka reshje shiu dhe situata raportohet normale nga strukturat vendore.

Sipas të dhënave, në disa segmente rrugore ka pasur rënie gurësh dhe inertesh në rrugë. Më problematike situata ka qenë në rrugën Kukës-Qaf Mali-Pukë, ku nga segmenti Kolsh-Qaf Shllak, ka prezencë të gurëve e dherave në rrugë.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se forcat e angazhuara po vazhdojnë punën në terren për të larguar ujin nga zonat e prekura. Problematika më të mëdha janë shënuar në rrugët dytësore të Durrësit të Ri, Shkozet, Gjykatën e Apelit dhe pjesërisht në Zonën e Plazhit. Ka një prani të ujit në disa banesa dhe ambiente publike, dhe janë evakuuar disa familje të cilat janë akomoduar te Kavalishenca.

Ministria e Mbrojtjes njofton se po vijon puna për në terren për largimin e ujit nga zonat e prekura nga reshjet intensive të shiut, në një pjesë të bashkisë së Durrësit.

Problematika më të theksuara kanë rrugët dytësore në zonën e Durrësit të Ri, Shkozetit, Gjykata e Apelit, pjesërisht Zona e Plazhit:

· Ka prani të ujit në një numër të konsiderueshëm banesash dhe ambientet publike.

· Është bërë evakuimi i disa familjeve, të cilat janë akomoduar te Kavalishenca.

· Sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë llogaritet në rreth 40 Ha.

· Ka një rritje të lehtë të niveleve të lumenjve Ishëm dhe Erzen, por pa rrezik për daljen nga shtrati.

· Hidrovorët në Hamallaj dhe Porto Romano vijojnë punën me kapacitet të plotë

· Në terren janë të angazhuara forca nga MZSH, Autoriteti Portual, Bordi i Kullimit, ndërmarrjet e punëve publike të bashkisë.

· Në mbështetje të forcave në terren janë angazhuar 2 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe 3 kamionë të kalueshmërisë së lartë nga Forcat e Armatosura.

· Gjatë natës kapacitetet nga FA u përforcuan edhe me 2 pompa të vogla nga batalioni i mbështetjes Poshnjë, të cilat janë duke punuar për largimin e ujit te IEPV Durrës.

Grupet e punës janë në terren për identifikimin, vlerësimin dhe raportimin e saktë të dëmeve.