Mblidhet Parlamenti për seancën e radhës (30 janar), e cila u shty me disa orë, për shkak të ceremonisë mortore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali mbajti fjalën hapëse, ku ngushëlloi klerikët dhe besimtarët e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për humbjen e madhe, teksa ngriti lartë figurën e kreut të ndjerë të kishës, duke theksuar se “lindi në Greqi dhe vdiq në Shqipëri, në vendin ku do prehet deri në amëshim”.
Në fund të fjalës Spiropali ftoi deputetët për të mbajtur një minutë heshtje për Kryepeshkopin.
Seancë ka rend dite të ngjeshur, me të paktën 16 pika. Seanca nisi në orën 15:00, me gjysmë ore vonesë. Pritet të sjellë debate të forta në sallë mes kampeve politike, mazhorancë-opozitë, për shkak të disa prej projektligjeve në rend.
Një prej tyre edhe ai i investimeve strategjike, që është shtyrë deri në Dhjetor 2026 për regjistrim, për shkak të thithjes të sa më shumë investitorëve sipas PS, por që opozita e quan klientelist dhe me qëllime elektorale.
PD i quan nisma elektorale dhe është shprehur kundër tyre.
Gjithashtu pritet të diskutohen edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për shkak të votës së Diasporës dhe veçanërisht posta e dërgimit të zarfit të votës.
Shkak i një debati të fundit është edhe propozimi i PD-së për votimin e emigrantëve, pasi opozita kërkon që shtetasit shqiptarë të votojnë edhe pa pasaportë e kartë identiteti shqiptarë, por edhe me dokumente të vendit ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh. Por PS është shprehur kundër.
Një tjetër nismë që pritet të diskutohet ashpër është edhe propozimi i ministrit Blendi Klosi, për “Paketën e Maleve”, që gjithashtu PD e cilëson klientelist me qëllim zgjedhor në prag të 11 Majit, për të marë votat.
Gjithashtu edhe kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për ligjshmërinë e projektit dhe koncesionit për Portin e ri të Durrësit, tatimi mbi të ardhurat, disa marrëveshje bilaterale, dhe diskutime të tjera jashtë rendit të ditës.