Rama në ceremoninë e homazheve për Kryepeshkopin Anastas: U paragjykua vetëm se ishte grek


Në ceremoninë e homazheve për Kryepeshkopin Anastas, Kryeministri Edi Rama theksoi se pasuesi i tij do të jetë një shqiptar, duke i referuar deklaratës së Kryepeshkopit për mediat greke. Rama kritikoi ata që e paragjykonin Anastas për origjinën e tij, duke theksuar se gjatë 33 viteve të drejtimit të Kishës Ortodokse, ai e ktheu atë në një institucion të lirë dhe kontribuoi në pajtimin dhe paqen në Shqipëri.

Rama gjithashtu vlerësoi se Anastasi ndihmoi në forcimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë, duke e bërë Kishën Ortodokse një aset të rëndësishëm.

“Ekzistenca e kësaj Kishe me frymën që për 33 vite i dha bariu i saj Anastasi i Shqipërisë edhe mirëfilli sot një aset konstitutiv i vetë pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të Shqipërisë, një Kishë e lirë, në një shtet të lirë.

Sa prekëse është në koherencën stoike të jetës së tij baritore dhe gjithëaq shpartalluese për të gjithë paragjykuesit dhe dyshuesit e tij prania e këtij trupi pajetë të rilindësit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, pohimi i tij botërisht pak kohë më parë në një intervistë të dhënë për shtypin grek e cila tingëllon më shqip se shqipja e kujtdo që e ka paragjykuar vetëm e vetëm se ishte grek Kryepeshkopin shqiptar i cili tha se, “pasuesi im do të jetë shqiptar

Unë kam që në vitin 1963 që udhëtoj nëpër botë. Kam repsektuar ta mësoj tjetrin siç është, të mendoj për të drejtat e tij.

Imagjinoni të kishim në Greqi një situatë të ngjashme, a do ta pranonim të drejtonte Kishën e Greqisë një bullgar apo serb, sigurisht që jo.

E konsideroj të mirëqenë që pasuesi im të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam në Shqipëri për të bërë një koloni, por për të bërë një Kishë Autoqefale të Shqipërisë.

Ajo nuk është pjesë e Kishës së Greqisë, por një nga 14 kishat ortodokse autoqefale të botës”.