Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, gjatë fjalës së tij sot në Kuvend iu referua një takimi të Ramës 6 muaj më parë, në Milano, duke e quajtur një aferë korruptive të pastër, sepse, sipas tij, takimi ishte një farsë e organizuar dhe financuar nga një sipërmarrës me të cilin ai kishte një marrëveshje korruptive.
Sipas tij, një biznesmen pagoi faturat për këtë spektakël propagandistik dhe si shpërblim Rama i dha një leje ndërtimi për dy kulla dhe një hotel shumëkatësh në qendër të Tiranës.
‘Sot, do t’ju tregoj një aferë korruptive të pastër. Një skandal te vërtetë! Një skemë e neveritshme që tregon saktësisht si funksionon kjo qeveri e kalbur. Gjashtë muaj më parë, Edi Rama u shfaq në një takim madhështor me diasporën në Milano. Super organizim, para pa fund, shumë shqiptarë shkuan atje, me shpresë, me besim. Dhe ai, me pafytyrësinë me të madhe, ju tha: ‘Kemi ndryshuar Shqipërinë, është gati për ju!” “Kthehuni! Sakrifikoni! Me punë dhe mund do të arrini gjithçka edhe në Shqipëri!”. Thjesht i gënjeu. E vërteta është komplet ndryshe: takimi ishte një farsë e organizuar dhe financuar nga një sipërmarrës me të cilin ai kishte një marrëveshje tipike korruptive!
Sipas një investigimi, një biznesmen pagoi faturat për këtë spektakël propagandistik! Dhe si shpërblim? Rama i dha një leje ndërtimi për dy kulla dhe një hotel shumëkatësh në qendër të Tiranës! Kjo është Shqipëria e Edi Ramës! Ky është modeli i tij. Shet Shqipërinë për të mbajtur pushtetin. Rama ju bëri thirrje 700.000 shqiptarëve që të ktheheshin në Shqipëri, Rama shpërbleu 1 prej tyre, atë që pagoi faturat e tij. Me pak fjalë, modelin që i garantoi 11 vjet pushtet në bashki dhe 12 vjet në qeveri, po shtrin në perëndim edhe me Diasporën. Jo vetëm kaq. Për të kapur votën e emigrantëve, hapën faqe false në Facebook dhe Instagram. Emra të bukur si “Diaspora Fier”, “Diaspora Lezhë”, “Comunità Albanese in Italia”. Po çfarë ishin këto?
Ishin mashtrime të sponsorizuara nga kompani të lidhura me Partinë Socialiste, me një qëllim: Të mbledhin të dhënat e emigrantëve me mashtrim. Emrin. Mbiemrin. Numrin e telefonit. Emailin. Pastaj i përdorin për ti manipuluar. Për t’ju dërguar mesazhe, për ti gënjyer, për t’ju marrë veten! Dhe kush qëndron pas kësaj? I njëjti biznesmen që organizoi takimin në Milano. E njëjta skemë: financon PS-në dhe më pas merr leje ndërtimi, projekte, miliona euro! Kjo është Shqipëria e Edi Ramës. Një vend ku pushteti blihet dhe shitet. Kjo është arsyeja pse Shqiptarët ikin’, tha ai.