Trump anulon ngrirjen e granteve federale brenda vendit


Zyra e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë të mërkurën anuloi një urdhër për ngrirjen e granteve federale, sipas një kopjeje të një memoje të re të marrë nga The Washington Post, pasi masa e administratës për të ndaluar shpenzimet në fillim të kësaj jave provokoi një reagim tw ashpwr.

Në një memo të së mërkurës dhe shpërndarë agjencive federale, Matthew J. Vaeth, ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, deklaron se memorandumi OMB M-25-13 “është anuluar”.

Urdhri i lëshuar të hënën, udhëzoi agjencitë federale që “të ndalojnë përkohësisht të gjitha aktivitetet në lidhje me detyrimet ose disbursimin e të gjithë ndihmës financiare federale”.

Urdhri origjinal i Shtëpisë së Bardhë për ngrirjen e granteve federale, i cili u bë publik të hënën, shkaktoi kaos masiv dhe konfuzion në gjithë Uashingtonin dhe rrezikonte programet e qeverisë që financojnë shkollat, ofrojnë strehim dhe sigurojnë që amerikanët me të ardhura të ulëta të kenë qasje në kujdesin shëndetësor.

Shtetet raportuan probleme me qasjen në fondet nën Medicaid, dhe madje që nga e mërkura, autoritetet e banesave publike raportuan se ishin mbyllur jashtë portalit të tyre të financimit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha të martën se ndihma për individët nuk do preket.

Administrata Trump e tërhoqi urdhrin një ditë pasi një gjykatës federal në Uashington, DC, ndaloi përkohësisht zbatimin e tij deri më 3 shkurt, duke u lejuar avokatëve të shëndetit publik, organizatave jofitimprurëse dhe bizneseve – të përfaqësuara nga grupi me prirje të majtë Democracy Forward – më shumë kohë për të sfiduar ligjshmërinë e direktivës.

Më vete, rreth dy duzina prokurorësh të përgjithshëm të shtetit ngritën padinë e tyre kundër administratës të martën, duke argumentuar se ndalimi i shpenzimeve federale ka dëmtuar qytetarët e tyre.

Në X, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt pranoi se memorandumi fillestar i zyrës së buxhetit është pezulluar, por tha se përpjekjet më të gjera të administratës për të bllokuar shpenzimet që ajo kundërshton mbeten në fuqi.

Urdhra të tjerë ekzekutivë të miratuar nga presidenti Donald Trump, por jo të anuluara – duke përfshirë një pauzë për ndihmën e huaj dhe për disa fonde të energjisë së pastër të miratuara nga administrata Biden – duket se janë ende në fuqi, thanë ekspertët e buxhetit. Leavitt tha se urdhri u anulua për të bërë të qartë se administrata do pajtohet me urdhrin federal që ndalon ngrirjen.

“Ky NUK është një anulim i ngrirjes së fondeve federale. Është thjesht një anulim i memorandumit të OMB-së,” postoi Leavitt.

“Pse? Për t’i dhënë fund çdo konfuzioni të krijuar nga urdhri i gjykatës. OE-të e Presidentit për financimin federal mbeten në fuqi dhe efekt të plotë dhe do zbatohen me rigorozitet.”

Urdhri i anuluar pasqyron atë që ka të ngjarë të jetë vetëm një nga shumë betejat fillestare mbi përpjekjet e administratës Trump për të kërkuar shumë më tepër kontroll mbi buxhetin federal. Trump dhe Russell Vought, i emëruari i tij për të kryesuar OMB-në ende në pritje të konfirmimit të Senatit, kanë pohuar se dega ekzekutive duhet të ketë shumë më tepër liri për të anuluar shpenzimet federale pa miratimin e Kongresit.

“Ndërsa ky është një lajm jashtëzakonisht i mirëpritur, ai vetëm ndalon ato pauza të paligjshme” në fondet e qeverisë të miratuara nga ngrirja e financimit të zyrës së buxhetit, tha Bobby Kogan, një ish-zyrtar i administratës Biden në Qendrën për Progresin Amerikan, një institut i mendimit të majtë.

Vought dhe Mark Paoletta, të emëruar si avokat për zyrën e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, kanë thënë se administrata do kundërshtojë një ligj buxhetor të vitit 1974 që kufizon autoritetin presidencial për të anuluar shpenzimet. Paoletta ka pohuar se ligji është “jokushtetues”, duke argumentuar se ai anulon autoritetin presidencial për të anuluar fondet federale që datojnë që nga themelimi i vendit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani