Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë detaje lidhur me takimin që zhvilloi një ditë më parë me katër deputetë konservatorë britanikë në selinë e PD. Në një postim në rrjetet sociale, ish-kryeministri u shpreh se ka prezantuar para parlamentarëve britanikë programin e Partisë Demokratike për transformimin e Shqipërisë.
Berisha theksoi se Shqipëria ka nevojë për një përmbysje të madhe, që do të çrrënjosë kalbëzimin e institucioneve dhe përdorimin e drejtësisë si mjet kundër kundërshtarëve politikë. Ai shtoi se një nga qëllimet e programit është gjithashtu ndalimi i shpopullimit të vendit.
Në takimin me deputetët britanikë, të pranishëm ishin Andrew Rosindell, ministër i hije për Marrëdhëniet me Jashtë, Martin Vickers, kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar, Philippa Broom, anëtare e Bordit të Grave Konservatore dhe Pierre Plumeajau, këshilltar.
Postimi
Të dashur miq,
Dje pata kënaqësinë e vizitës në zyrë të deputetëve konservatorë britanikë z. Andrew Rosindell (ministër hije për Marrëdhëniet me Jashtë), z. Martin Vickers (kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar), znj. Philippa Broom anëtare e Bordit të Grave Konservatore, dhe z. Pierre Plumeajau, këshilltar.
I informova miqtë britanikë për vështirësitë e mëdha të krijuara nga keqqeverisja dhe ndjekja e një politike të ekstremit të majtë dhe ndikimit të Soros në vend, dhe domosdoshmërinë e një përmbysje të madhe që do çrrënjosë kalbëzimin e institucioneve, përdorimin e drejtësisë si armë kundër kundërshtarit politik, dhe do ndalojë shpopullimin e vendit.
Programi i Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme do të jetë transformues për Shqipërinë…
Mirëprita dëshirën dhe angazhimin e Partisë Konservatore britanike për të mbështetur PD në zgjedhjet e 11 Majit për luftën kundër narkoshtetit dhe rënien e tij.
U theksova se vota e diasporës, përfshirë atë në Britaninë e Madhe, do të jetë kyçe për këtë ndryshim në Shqipëri.