Autoriteti i mbrojtjes së të dhënave të Italisë tha të enjten se kishte bllokuar modelin kinez të inteligjencës artificiale DeepSeek për mungesë informacioni mbi përdorimin e të dhënave personale.
DeepSeek nuk mund të aksesohej të mërkurën në Applestore të Apple ose Playstore të Google në Itali, një ditë pasi autoriteti kërkoi informacion mbi përdorimin e të dhënave personale.
Në veçanti, ajo donte të dinte se cilat të dhëna personale janë mbledhur, nga cilat burime, për çfarë qëllimesh, mbi çfarë baze ligjore dhe nëse ato ruhen në Kinë.
Vendimi i autoritetit – që synon mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve italianë – erdhi pasi kompanitë kineze që furnizojnë shërbimin chatbot për DeepSeek dhanë informacion që “u konsiderua krejtësisht i pamjaftueshëm”, tha autoriteti në një shënim në faqen e tij të internetit.
Autoriteti italian shtoi se vendimi kishte “efekt të menjëhershëm” dhe se kishte hapur gjithashtu një hetim.
DeepSeek nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Reuters për një koment.
Modeli kinez javën e kaluar lançoi një asistent falas të AI që thotë se përdor më pak të dhëna me një pjesë të vogël së kostos së shërbimeve ekzistuese. Asistenti në fillim të kësaj jave kishte kaluar rivalin amerikan ChatGPT në shkarkimet nga dyqani i aplikacioneve të Apple, duke shkaktuar panik midis investitorëve të aksioneve të teknologjisë.