Ministri Hoxha: Besimi në Policinë e Shtetit, histori suksesi


Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, theksoi sot gjatë prezantimit të anketimit për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë dhe besimin te Policia e Shtetit, se ky institucion ka bërë hapa të mëdhenj në dekadën e fundit, duke kontribuar për një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë për qytetarët shqiptarë.

“Ndajmë me ju sot historinë e një institucioni që ka një shtyllë të fortë të sigurisë dhe besimit në rritje për shoqërinë shqiptare. Policia e Shtetit ka bërë hapa të mëdhenj drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë ne,” deklaroi Hoxha.

Ai shprehu krenarinë për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për Policinë e Shtetit mbi themele të forta, duke theksuar se vlerat e sigurisë dhe transparencës janë bërë parimi udhëheqës i çdo veprimi. “Nuk janë fjalë, as thjesht një ide, por parime që i kemi zbatuar me përpikmëri dhe dedikim,” tha ai.

Ministri theksoi gjithashtu se perceptimi i publikut ka ndryshuar ndjeshëm në dekadën e fundit, duke rritur besimin ndaj Policisë së Shtetit. 

 

 

“Në dekadën e fundit perceptimi i publikut është transformuar ndjeshëm duke rritur besimin e tij. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht por është rezultat i një pune të palodhur përfshirë këtu, modernizimin e Policisë së Shtetit përmes teknologjisë, transparencën në çdo vendimmarrje, duke siguruar dhe informuar qytetarët në kohë reale dhe duke i përfshirë ata në vendimmarrjet tona”, u shpreh Hoxha.