Zbulohet call-center që mashtronte shtetas të huaj për investime në bursa, arrestohet administratori, procedohen 13 të tjerë


Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Location”, duke zbuluar një ambient të përshtatur si call-center që përdorej për të mashtruar shtetas të huaj për investime në bursa fiktive.

Në kuadër të operacionit, është arrestuar administratori i ambientit, Riza Likollari, 39 vjeç, ndërsa janë proceduar 13 operatorë të tjerë, përfshirë edhe shtetas të huaj.

Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje kompjuterike, aparate celulare dhe mjete pune që përmbanin të dhëna të ndryshme, të cilat përdorej për mashtrimet.

Njoftimi:

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit operacioni policor i koduar “Location”. Zbulohet një ambient i përshtatur si call-center, me anë të cilit mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive.

Vihet në pranga administratori i ambientit dhe procedohen 13 operatorë, mes tyre dhe shtetas të huaj. Sekuestrohen pajisje kompjuterike, aparate celulare dhe mjete pune që përmbanin të dhëna të ndryshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Location”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Riza Likollari, 39 vjeç.

Likollari, administronte një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në rrugën “Themistokli Gërmenji”, të cilin e kishin përshtatur si call center. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, janë kapur në flagrancë 13 operatorë gjatë kohës që mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursë fiktive.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.