Nga zyra në laptop, moda e re e punës së shqiptarëve


Në vitet e fundit, Shqipëria ka parë një transformim të rëndësishëm në tregun e punës, ku gjithnjë e më shumë profesionistë dhe të rinj po zgjedhin të punojnë jashtë kornizave tradicionale të zyrës.

Kjo formë moderne e punës, e njohur si Gig Economy dhe e-punësimi, ofron fleksibilitet dhe mundësi të reja, veçanërisht për ata që zotërojnë aftësi teknologjike, krijuese apo profesionale të kërkuara globalisht.

Gig Economy përfaqëson një model pune ku individët kryejnë projekte afatshkurtra ose të përkohshme, shpesh të menaxhuara nëpërmjet platformave online.

Këto platforma, si Fiverr, Upwork, dhe gig-apps të tjera, u mundësojnë profesionistëve të gjejnë punë të personalizuara, pa qenë të lidhur me një punëdhënës të vetëm apo një vend të caktuar.

Kjo formë pune ka ndryshuar mënyrën se si mendohet për punësimin tradicional. Nga puna me kohë të plotë në zyra, shumë profesionistë sot mund të punojnë nga shtëpia, kafeneja apo çdo vend tjetër që ofron akses në internet.

Në Shqipëri, Gig Economy është bërë gjithnjë e më e pranishme, falë dy faktorëve kryesorë. Së pari, ka ndikuar rritja e aftësive teknologjike tek të rinjtë.

Të rinjtë shqiptarë janë gjithnjë e më shumë të aftë në fusha si dizajni grafik, programimi, përkthimet, menaxhimi i rrjeteve sociale dhe marketingu dixhital.

Gjithashtu, një faktor tjetër është njohja me platformat globale si burim të ardhurash.

Shqipëria ka një avantazh konkurrues për shkak të kostos relativisht të ulët të jetesës, duke bërë që profesionistët shqiptarë të jenë tërheqës për klientët ndërkombëtarë që kërkojnë cilësi të mirë me një kosto më të ulët.

Kjo ka krijuar mundësi për individët që të punojnë për klientë ndërkombëtarë dhe të fitojnë të ardhura më të larta sesa ato që mund të ofronte tregu i brendshëm i punës.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka parë një transformim të rëndësishëm në tregun e punës, ku gjithnjë e më shumë profesionistë dhe të rinj po zgjedhin të punojnë jashtë kornizave tradicionale të zyrës, – shprehet Erion Muça, ekspert punësimi.

“Kjo formë pune ka ndryshuar mënyrën se si mendohet për punësimin tradicional. Nga puna me kohë të plotë në zyra, shumë profesionistë sot mund të punojnë nga shtëpia, kafeneja apo çdo vend tjetër që ofron akses në internet”- thotë ai për “Monitor”.

Ndërsa Erila Haska, drejtuese e një programi pranë Global Innovation Management Institute në SHBA, që punon nga Shqipëria, thotë se, grupmosha më aktive për punën në distancë janë të rinjtë midis 25-34 vjeç, të cilët priren më shumë për të kërkuar fleksibilitet dhe mundësi punësimi jashtë vendit.

“Mendoj se konceptimi ka ndryshuar, pasi shumë prej tyre kanë kuptuar që ekziston mundësia për të punuar për një treg ndërkombëtar nga një vend si Shqipëria.

Kjo padyshim u jep mundësinë të fitojnë më shumë, të ndërveprojnë me kultura të tjera dhe të akumulojnë më shumë ekspertizë sesa ajo që mund të ofrohet nga tregu apo punëdhënësit shqiptarë”, – shprehet znj. Haska.